Freedom House: Shqipëria vend pjesërisht i lirë
Freedom House publikoi raportin vjetor të lirisë, duke bërë që Shqipëria të renditet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira. Ndërkohë duket se përparim ka pësuar Kosova duke u përfshirë për herë të parë në vendet me demokraci elektorale.

Sipas raportit të Freedom House të publikuar nga Zëri i Amerikës, Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Freedom House ia atribuon mosndryshimin e vlerësimit kombinimit të problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para. “Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim”, thotë Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.

Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore. “Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha. Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme”.

Në bazë të raportit rezulton se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.

Ndërkohë sipas Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve.

Zoti Puddington thotë se nëse do që të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet. “Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështuqë ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”. /albeu.com/
Shtuar më 28/01/2015, ora 08:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori