Freedom House: Shqipëria e parafundit në rajon për lirinë e shtypit
Organizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, ne vlerësimin e saj më të fundit e ka renditur Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë.

Sipas këtij raporti Kosova radhitet në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 106-të, me 51 pikë. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq.

Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Nga vendet e rajonit, vetëm Maqedonia mbetet prapa Shqipërisë. Ndërkohë kujtojmë se një vit më parë Shqipëria dhe Kosova ishin radhitur në vendin e 98-të. Në mesin e vendeve të Evropës juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.

Maqedonia bashkë me Turqinë, klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë. Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë, kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar. Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre tndaj normave evropiane për median e lirë e të pavarur.

Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.

Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t’i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet. Sipas Freedom House vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë. /albeu.com/
Shtuar më 27/04/2016, ora 08:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori