Pasojat e derbit në “Air Albania”, ndeshja e “yjeve” e gjen me stola të thyer

Pasojat e derbit Partizani-Tirana janë ende të pranishme në stadiumin e ri kombëtar “Air Albania”, aty ku nesër do të luhet miqësorja e yjeve, e cila do të jetë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Spektakli në fushë dhe ai në tribuna nga derbi Partizani-Tirana la pas edhe disa stola të thyer.

Kur ka kaluar një muaj, stadiumi më i ri dhe më modern në vend ka ende shenjat e asaj sfide.

Klubet u dënuan secili nga Disiplina me 200 mijë lekë të reja gjobë si edhe detyrimin për të dëmshpërblyer stolat e thyer.

Por kur kanë mbetur vetëm pak orë nga ndeshja e yjeve, turneu ndërmjet veteranëve të Shqipërisë, Italisë kampione bote në vitin 2006, Greqisë kampione e Europës të 2004-s dhe Turqisë së vendit të tretë në Botërorin 2002, dëmtimet mbeten ende të dukshme.

Sipas “A2”, më e dëmtuar është tribuna jugore, “Vasillaq Zëri”, aty ku ishin pozicionuar “Tirona Fanatics”.

Dëmet mbeten aty, të dukshme, duke e prishur disi imazhin e impiantit në prag të një tjetër evenimenti madhor për futbollin shqiptar.


Shtuar 9.01.2020 13:27