Fredi Beleri nën hetim, si u vranë ushtarakët shqiptarë nga grupi terrorist grek në prill 1994

Fredi Beleri është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas rihapjes së dosjes së masakrës së Peshkëpisë, ku në prill 1994 një grup terrorist grek i quajtur "Mavi" mori peng një repart ushtarak në Gjirokastër dhe më pas vrau një oficer dhe një ushtar.

Beleri ishte pjesë e grupit sëbashku me Harallamb Papën, të dy me origjinë nga Shqipëria.

Komandoja quhej "Pirro i Parë" dhe kishte këtë përbërje:

-Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger.
-Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke.
-Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor.
-Fredi Bejleri, asokohe 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik.
-Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.
-Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi.
-Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, vëllai i Harallamb Papas.

Si ndodhi

Masakra e Peshkëpisë në Gjirokastër ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 10 prill 1994. Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke iu drejtuar Postës Kufitare të Peshkëpisë, duke vrarë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe duke plagosur ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi.

Gjatë sulmit, ata morën peng edhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar, Qemal Strokën, i cili më pas u la i lirë në kufi. Anëtarët e këtij grupi terrorist rrëmbyen edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet. Brenda pak minutash, grupimi me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë”, u rikthye serish në territorin grek.

Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë nxituan që t’u jepnin ndihmën e parë Arsen Gjinit e Fatmir Shehut, por ata nuk kishin më shenja jete. Autorët e këtij sulmi të ndodhur 25 vite më parë, pasi kaluan kufiri, qëndruan në një kodër përballë postës që kishin planifikuar të sulmonin, nga ku mund të mbanin nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vendndodhjen e saktë të tyre, ata u vunë në lëvizje.

Sulmi nisi në mesnatë, në një kohë që 130 rekrutët e rinj, të moshave 18-20 vjeç, ishin në gjumë. Dëshmori i Atdheut, 20-vjeçari Arsen Gjini, nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e autorëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip “Kallashnikov” që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi autorët e sulmit, pasi sipas të dhënave ata mund të kishin siguruar informacion nga brenda dhe e dinin që roja nuk kishte municion.

Arsen Gjini u qëllua i pari gjatë këtij sulmi, duke mbetur i vrarë. Më pas, autorët mësynë brenda godinës dykatëshe duke hyrë në fjetinën ku ndodheshin rekrutët dhe në depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash, i gjithë reparti, me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit.

Oficeri i stërvitjes, kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, zbriti poshtë me një pistoletë tip “Tokarev”. Por tentativa e tij për të rezistuar ishte e kotë, pasi babai i dy fëmijëve u qëllua me breshëri në sheshpushimin mes shkallëve, duke mbetur i vdekur.
Shtuar më 23/05/2019, ora 10:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori