FRD: Shqipëria, pashallëk i Berishës dhe Ramës
Të rinjtë e Frymës së Re Demokratike kanë nderuar kontributin e brezit të studentëve të dhjetorit të vitit 1990 me rastin e 22 vjetorit të lëvizjes studentore ndërsa i kanë kërkuar kryeministrit të vendit Sali Berisha tu kërkojë falje publike brezitdhjetorit ’90 që denigroi dhe nëpërkëmbi ëndrrën dhe shpresat e tyre për një Shqipëri europiane.

"Sot pushteti feston, kryeministri feston, zyrtarët e korruptuar festojnë, siç bënin në prag të dhjetorit 1990. Njëlloj si atëherë, klanet e pushtetit kërcënojnë e denigrojnë këdo që është kritik ndaj tyre, si atëherë pushteti pushon nga puna çdo person që merr pjesë në aktivitetet opozitare. Por për rininë e sotme, nuk flet askush" – tha Sentiljana Barzezi, përfaqësuese e forumit rinor të Frymës së Re Demokratike.

Fryma e Re Demokratike mendon se ende studentët e Dhjetorit ‘90 mbeten brezi më idealist i shoqërisë shqiptare. Aspirata e tyre “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” vazhdon të mbetet ëndrra e madhe e të gjithë shqiptarëve. Sipas përfaqësues së rinisë së FRD-së, pas 22 vitesh Shqipëria vjen në Ditën e Rinisë me një bilanc zhgënjimesh për të rinjtë e dhjetorit 90 dhe për të rinjtë e sotëm.


“Ne jemi vendi i vetëm në Evropën Komuniste që ende nuk kemi hyrë në Bashkimin Evropian, që nuk kemi bërë zgjedhje tërësisht të lira e demokratike, ku ende nuk ka ndodhur rotacioni i elitave dhe as kufiri minimal i dy rotacioneve zgjedhore, vendi që si 22 vjet më parë i ofron rinisë alternativën e ikjes dhe ku të njëjtit persona vazhdojnë të vegjetojnë në pushtet prej dy dekadash” –tha Barzezi.

Rinia e FRD-së konstaton se ky vend ngjason me pashallëkun e Berishës apo Ramës, e nuk është kurrsesi vendi që donte, aspironte dhe luftonte rinia shqiptarë më 1990. “Rinia e FRD-së bën sot përgjegjës kryeministrin e majtë të së djathtës Sali Berisha për dështimet e zhgënjimet historike, për humbjen e shanseve të progresit dhe integrimit, për tradhti ndaj idealeve të dhjetorit dhe hakmarrje ndaj dhjetoristëve të vërtetë” – tha Barzezi,- Ai ka përgjegjësinë që sot Shqipëria kryeson listën e shteteve evropiane për korrupsion, që rinia shqiptare është pa perspektivë, pa vende pune, pa shanse për mësim cilësor dhe profesional, pa besim tek institucionet politike dhe pa përfaqësim në vendimmarrje”

Rinia e Frymës së Re Demokratike e froi publikisht ish sekretarin e partisë së Enver Hoxhës dhe prej 22 vitesh kryetarin suprem të Partisë Demokratike, që në ditën e Rinisë, t’i kërkojë falje publike brezitdhjetorit 90, që i denigroi,theu shpresat, prishi ëndrrat, u mori votat e ngriti një sistem piramidal dhune dhe oligarkie mbi familjet e tyre; që shteti në moshë më të re në Evropë ka politikanët në moshën më të lartë në Evropë, që nuk ka integrim dhe as progres ekonomik, nuk ka siguri dhe as stabilitet, nuk ka shtet të së drejtës dhe as një imazh pozitiv të Shqipërisë në raporte ndërkombëtare. /albeu.com/
Shtuar më 08/12/2012, ora 12:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori