Turistët gjermanë “i lënë këmbët” në Tropojë, policët i marrin në krahë dhe me helikopter (VIDEO)

Dy turistë gjermanë janë bllokuar në malet e Tropojës, teksa kanë qenë duke vizituar vendin.

Atyre u ka ardhur në ndihmë policia, të cilët i kanë ndihmuar me helikopter për të shkuar drejt spitalit të Tiranës.

Lajmin e bëri të ditur vetë policia përmes një njoftimi.

Njoftimi i Policisë:

Tropojë/Punonjësit e Policisë, të përkushtuar dhe të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për t’u ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve.

Pas shumë orësh udhëtimi në këmbë, në zonë të vështirë, punonjësit e Policisë bëjnë të mundur gjetjen dhe transportimin disa orë me krahë dhe më pas me helikopter drejt Tiranës, të 2 turistëve gjermanë.

Më datë 04.08.2022, rreth orës 21:00, jemi njoftuar se dy shtetas (turistë gjermanë), duke eksploruar zonën e quajtur “Curraj i Epërm”, për shkak të lodhjes dhe errësirës nuk mund të vazhdonin ecjen.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, me qëllim ofrimin e ndihmës turistëve, kanë ndërhyrë në këmbë për të kontrolluar zonën.

Pas disa orësh kërkimesh intensive në këmbë, në tërrenin e thepisur, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Vashqefen”.

Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën 2 turistët nga terreni i rrëzikshëm dhe më pas i kanë transportuar ata deri në vendin ku ishte e mundur ulja e helikopterit.

Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, janë transportuar në spitalin e Tiranës dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.