FOTO E RRALLA/ Kur Enver Hoxha nderonte flamurin amerikan dhe Shqipëria e sapo dalë nga lufta

Këto janë disa foto të rralla të bëra nga shkrimtari dhe figura ushtarake britanike Vandeleur Robinson (1902-1990), emri i vërtetë i të cilit ishte Vivian Dering Vandeleur Robinson.

Fotot janë publikuar nga albanologu Robert Elsie, që ka bërë edhe një biografi të shkurtër të të britanikut robinson.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Robinson-i shërbeu si kapiten në ushtrinë britanike ku, me sa duket punoi për organet e zbulimit.

Ai erdhi në Shqipërinë në tetor të vitit 1944, ku takoi udhëheqësit e ardhshëm komunistë.

Në mars të vitit 1945, Robinson-i ishte atashe shtypi në misionin ushtarak britanik në Tiranë.

Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Shqipëri, si vëzhgues i huaj diplomatik, ai pati mundësi të merrte pjesë në Gjyqin Special të zhvilluar kundër gjashtëdhjetë përfaqësuesve të regjimit para-komunist, gjatë të cilit të pandehurve iu dhanë dënime të ashpra me vdekje, ose me burgim të gjatë si kriminelë luftë dhe armiq të popullit.

Në maj dhe qershor të vitit 1945, ai bëri një udhëtim të gjatë me një xhip ushtarak në jug të vendit të shkatërruar nga lufta.

Në atë kohë, Robinson-i u njoh me Sara Blloshmin (1900-1974), vajzën e gjeneralit osman Abdul Karim Pasha.

Sara ishte mbesa e Ismail Qemal bej Vlorës, i cili shpalli pavarësine e Shqipërisë në vitin 1912. Ajo u lind në Kostandinopojë, por studimet i kreu në Kajro.

Burri i saj i parë, Selahedin Blloshmi, ishte ambasadori shqiptar në Rumani në kohën e Zogut.

Sara ishte figurë e njohur dhe e emancipuar në Tiranë në kohën e Zogut.

Ajo shquhej posaçërisht për vallzimin e saj, gjë që shkaktoi skandal në opinionin publik shqiptar.

Sara e kuptonte më së miri se çfarë po ndodhte në Shqipëri pas marrjes së pushtetit nga komunistët, prandaj e luti Robinson-in të martoheshin bashkë dhe ta merrte me vete në Angli bashkë me të bijën e saj, piktoren Vera Blloshmi (1923-1998).

Robinson-i pranoi, madje, gjeti dhe një koleg ushtarak të tij, Jimmy Mellet, i cili pranoi të martohej me vajzën e saj.

Kështu, të dy gratë arritën në Angli dhe martesat e tyre dolën të suksesshme.

Marrëdhëniet midis regjimit të ri komunist në Shqipëri dhe fuqive perëndimore u përkeqësuan shpejt, kështu që misionit ushtarak britanik bashkë me Robinson-in ju desh të tërhiqej nga Tirana.

Për disa dhjetëvjeçarë informacionet dhe fotografite për Shqipërinë ishin të pakta, prandaj fotot e viteve 1944-1945 janë me një rëndësi të veçantë.
Shtuar më 07/02/2017, ora 15:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori