Forumi Politik formoi një sekretariat që do të merret me përgatitjen e bisedave për statusin final t&eu
Albeu.com
Përfaqësuesit e katër partive politike më të mëdha në vend dhe Presidenti i Kosovës në takimin e dytë që zhvilluan dje në kuadër të Forumit Politik joformal arritën marrëveshjen për krijimin e një sekretariati me grupe ekspertësh brenda Forumit.Ata do të përgatisin materiale të nevojshme për bisedimet e mundshme për statusin përfundimtar të Kosovës. Ndërkaq, për sa u përket bisedave politike me Beogradin ishte qëndrim unik i Forumit se çështja e statusit të Kosovës nuk do të bisedohet me Beogradin. Mirëpo mbështetje i është dhënë dialogut për çështje teknike. Sipas udhëheqësve kosovarë në bisedimet për statusin e Kosovës autoritetet e Beogradit mund të marrin pjesë vetëm në kuadër të një vendi fqinj, pa të drejtë vetoje. Ky sekretariat do të përbëhet nga katër partitë politike, presidenca dhe UNMIK-u.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas këtij takimi tha se sekrertariati do të propozojë nevojat për grupet punuese nëse do të ketë bisedime për pavarësinë e Kosovës.
"Sekretariati do t'i organizojë punët teknike të Forumit, që është i përfaqësuar nga partitë politike dhe do të propozojë nevojat për grupet punuese për tema të ndryshme nëse do të ketë bisedime për pavarësinë, për të ardhmen e Kosovës. Ju e dini unë insistoj për një njohje direkte të pavarësisë së Kosovës", ka thënë Presidenti Rugova. Ai ka shtuar se Forumi është një organ i Kosovës, një mekanizëm joformal që nuk i zëvendëson institucionet e Kosovës.
Nga ana e tij, Kryeadministratori i Kosovës Soren Jesen Petersen e ka përshëndetur formimin e këtij sekretariati dhe ka nënvizuar se ky organizëm do të fillojë punën që nga dita e sotme. Ai ka shtuar se ky sekretariat shumë lehtë mundë të shndërrohet në një platformë që nevojitet për bisedimet lidhur me statusin e Kosovës. Petersen ka theksuar se për të diskutuar statusin kërkohet një forum shumë më i gjërë se sa Prishtina dhe Beogradi. "Qëllimi i dialogut politik siç thotë edhe Presidenti nuk është që të diskutohet statusi, sepse kjo është një çështje që duhet të zgjidhet në një forum shumë më të gjërë, pra në Këshillin e Sigurimit", ka thënë Petersen.
Ndërkaq, Kryeministri Baram Kosumi tha se me formimin e këtij sekretariati është bërë një hap përpara.
Kreu i PDK-së Hashim Thaçi formimin e këtij sekretariati e quajti bërthamë e parë për formimin e mekanizmave tjerë për proceset e standardeve dhe statusit të Kosovës. Ai nënvizoi se ka patur një pajtueshmëri të plotë edhe sa i përket bashkëpunimit të Kosovës me gjithë fqinjët.
Veton Surroi, kryetar i Partisë Ora tha se opozita ku bën pjesë edhe partia e tij e ka mirëpritur propozimin e Presidentit Rugova për formimin e këtij sekretariati. "Kjo nuk është çështje e pushtetit dhe opozitës, këtu nuk kemi ndarje, kjo është një çështje ku ne e përkrahim në formë koncesuale angazhimin e tyre, natyrisht atë që ka të bëjë me një qëndrim, i cili është i përgjithshëm kosovar që me Beogradin nuk bisedojmë për status, por bisedojmë për shumë çështje të tjera", ka thënë Surroi. Ai ka shtuar se ishte me rëndësi që në një kohë relativisht të shkurtër arritur të krijohet një koncensus.
Ndërkaq, Kolë Berisha nga LDK-ja ka thënë se është mirë që është arritur pajtueshmëri për krijimin e këtij sekretariati. QIK
Shtuar më 01/07/2005, ora 15:08
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori