Forumi Mysliman: Presidenti Moisiu ka fyer ndjenjat tona
Albeu.com
Myslimanët reagojnë pas ligjëratës së Moisiut në Oksford. “Fyerje e rëndë për identitetin e myslimanëve të Shqipërisë”. Kështu është cilësuar nga Forumi Mysliman Shqiptar ligjërata e presidentit të vendit, Alfred Moisiu, mbajtur në forumin e Oksfordit për tolerancën ndërfetare në traditën e popullit shqiptar.Përmes një deklarate për shtyp, forumi ka reaguar për ligjëratën e mbajtur, duke pranuar se, “megjithë deklarimet e qarqeve të ndryshme me frymëzim antimysliman, kur deklarata të tilla bëhen nga presidenti, ato marrin karakterin e një sulmi të shtetit mbi identitetin e qytetarëve të tij”. Sipas deklaratës, forumi i sheh absurde përpjekjet për të afishuar tolerancën ndërfetare të shqiptarëve, kur deklarohet se ata qenkan të gjithë të krishterë. “Ne pyesim zotin president, se, nëse në Shqipëri edhe ne myslimanët qenkemi të krishterë, atëherë ndaj kujt ushtrohet kjo tolerancë, zotëri? Si është e mundur që në shtetet fqinje në Ballkan, ku ka popullata dhe regjime të deklaruara si të krishtera ortodokse, nuk ekziston një tolerancë si në Shqipërinë me shumicë myslimane”, - thuhet në deklaratë, pasi citohen pjesë nga ligjërata e presidentit. Sipas së cilës, te çdo shqiptar, pak po të gërmosh do të zbulosh thelbin e tij të krishterë dhe se te çdo mysliman shqiptar, gjen 15 shekuj krishtërim. “Forumi Mysliman ndjehet i habitur kur konstaton që kryetari i shtetit nuk paska dijeni që në vendin e tij, përveç të krishterëve të devotshëm, ekziston një numër goxha i madh myslimanësh po aq të devotshëm, të cilët e mbështesin fenë e tyre në islamin burimor, që rrjedh nga mësimet autentike të librit të shenjtë, Kuranit, që Zoti i madhëruar i shpalli njerëzimit nëpërmjet profetit Muhamed, ashtu siç i dërgoi Ungjillin profetit Jezu Krisht”, - thuhet në deklaratë. Sipas saj, Islami në vendin tonë është po aq familjar për shqiptarët, sa ç’është edhe krishtërimi (i cili sikurse edhe islami nuk është rezidencial, por i ardhur nga Lindja e Mesme), por që të dy janë pjesë të pandashme të identitetit tonë kombëtar. “Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës, është simbol i unitetit kombëtar dhe nuk mund t’i lejohet që nëpër forume ndërkombëtare të prezantojë qëndrime të njëanshme, të cilat injorojnë ndjenjat e një pjese të mirë të popullsisë”, - theksohet më tej në këtë deklaratë, ku shtohet se një falje nga ana e presidentit do të ishte një lehtësim për fyerjen që u është bërë shtetasve të besimit islam.
B.P., Shekulli
Shtuar më 12/11/2005, ora 20:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori