"Fol" i perkujton Thacit aktin me te larte juridik te shtetit
Albeu.com
Lëvizja “Fol” vlerëson se kryeministri Hashim Thaçi ka harruar aktin më të lartë juridik të shtetit – kushtetutën, edhe pse diku në mes të një deklarate i referohet asaj.
“Unë jam kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe emërimet e ndërrimet i bëj unë në bazë të mandatit tim kushtetues", kishte deklaruar Thaçi më 5 maj 2010.
Lëvizja "Fol" e paraqet këtë si të pavërtetë në raportin e radhës, ku publikon të thënat e vërteta e të pavërteta së zyrtarëve të institucioneve, transmeton KosovaLive.
"Fol" thotë se po ta lexonte Thaçi deri në fund Kushtetutën, e sidomos dispozitat e saj kalimtare, kapitulli XIV, neni 146 dhe 147, si dhe Aneksin IX të Pakos së Ahtisaarit, neni II, pika c dhe d, do të shihte se aty specifikohet qartë se Përfaqësuesi Civil mund të marrë vendime, të sanksionojë dhe largojë nga detyra çdo zyrtar publik që rrezikon sundimin e ligjit.
Si të pavërtetë tjetër të Thaçit "Fol" paraqiti edhe deklaratën se vendosja e EULEX-it dhe pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë është bërë me ftesë të institucioneve të Kosovës në shkurt të 2008. Ndërsa, Lëvizja "Fol" rikujton se pakoja e Ahtisaarit, që i jep fuqi ekzekutive shefit të ICO-së është miratuar me aklamacion në Kuvendin e Kosovës.
“E pavërtetë tjetër është deklarata e Thaçit për mosangazhim adekuat të shefit të ICO-së për veriun e Mitrovicës, për mosmbështetje të plotë për zbatimin e strategjisë, dhe për mbisundim të ligjit në veri, deklaratë kjo e bërë me 5 maj 2010, ndërkaq krahasojmë këtë deklaratë me atë të 22 shkurtit 2010, që thotë se Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërtuar një strategji të qartë për veriun, që do të zbatohet dhe ka mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare”, thotë “Fol”.
Si të pavërtetë tjetër “Fol” paraqet edhe deklaratën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, që priste me padurim formimin e Gjykatës Kushtetuese për të deponuar padinë e tij kundër presidentit Fatmir Sejdiu, sepse kreu i shtetit kishte përcaktuar vetëm datën e zgjedhjeve lokale, por jo edhe të zgjedhjeve qendrore, siç kërkonte AAK-ja.
Sipas kësaj lëvizjeje, megjithatë, kanë kaluar një vit e katër muaj, kurse kryetari i AAK-së dhe partia e tij nuk kanë deponuar kurrfarë padie ndaj presidentit të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të vendit.
Kjo lëvizje ka paraqitur edhe një deklaratë të shefit të ICO-së, Pieter Feith, të 27 prillit 2010, i cili ka deklaruar: “Ju do të shihni më shumë hapa që do të ndërmerren, ngase, në të kundërtën, Kosova kurrë nuk do të shënojë përparime në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ju lutem, kini durim dhe do të shihni se do të ketë zhvillime të tjera.”
Sipas “Fol”, ky është premtim në pritje pasi EULEX-i kishte folur për kapjen e peshqve të mëdhenj që në dhjetor të vitit 2009, por shenjat konkrete në këtë drejtim janë të pakta.
“Deklaratat e shefit të ICO-së Pieter Feith janë inkurajuese. Aksioni i hetimeve në MTPT dhe ndaj ministrit Limaj do të duhej të shkojë deri në fund dhe pa ndërhyrjen e asnjë faktori, sidomos atij politik, për çka ka folur presidenti Sejdiu në gazetën belge”, vlerëson kjo lëvizje.
Ndërkaq “Fol”, kërkon të bëhen transparente edhe gjashtë ministri tjera që janë duke u hetuar sipas u.d të kryeprokurorit të EULEX-it.
Shtuar më 15/05/2010, ora 15:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori