FMN: Vjedhja e Thesarit, incident i rëndë
Pëlqej
Shefi i ri i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë e ka cilësuar si një incident të rëndë vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë.

Në një intervistë të dhënë për revistën ekonomike “Monitor”, Jens Reinke thekson se duhet të jetë hetimi ai që të përcaktojnë përgjegjësit.

"Ky është një incident i rëndë. Ne jemi informuar se Banka e Shqipërisë dhe agjenci të tjera vendëse janë duke marrë masa për t’i shkuar deri në fund zbulimit të asaj që ka ndodhur. Është e rëndësishme që të lejohet që hetimet aktuale të bëjnë punën e tyre. Kur faktet të jenë të njohura dhe gjithnjë nëse ka implikime për Bankën e Shqipërisë, drejtuesit e saj dhe bordin është çështje e autoriteteve shqiptare që ta trajtojnë në zbatim të plotë të ligjit. Ligji i Bankës së Shqipërisë i ka shërbyer vendit mirë, duke siguruar që BSH të marrë vendime profesionale lidhur me menaxhimin makroekonomik dhe të stabilitetit financiar, përfshirë këtu gjatë periudhës së vështirë të krizës globale të vitit 2008 dhe, më vonë, kur sistemi bankar ishte i ekspozuar ndaj presioneve të jashtme. Në të njëjtën kohë, veprime që e forcojnë më tej ligjin e Bankës Qendrore në raport me mandatin e saj kryesor dhe veprimtarinë operacionale, duke ruajtur pavarësinë e Bankës Qendrore, do të ishin të mirëpritura." shprehet Reinke.

Një skuadër e FMN-së viziton periodikisht Tiranën për të shqyrtuar progresin në zbatimin e angazhimeve të marra dhe për të diskutuar politikat e ardhshme. /albeu.com/
Shtuar më 29/08/2014, ora 10:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori