Foto çasti tek sheshi? 79 vjeçari: Dal që në mëngjes, nuk e bëj për lekë

Zotëria që fshihet pas fotove të çastit tek sheshi Skëndërbej, është një ndër personazhet më të spikatur në kryeqytet. Por pak persona e njohin atë, i dinë emrin apo historinë. Ramadan Biçaku, i njohur ndryshe si Dani, ishte i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ ku zbuloi më tepër mbi jetën e tij. Sot 79 vjeç, Ramadani ndonëse në pension nuk preferon të qëndroj në shtëpi si moshatarët e tij. Ai tregon se çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit e deri në 2 të drekës qëndron në sheshin Skënderbej në gatishmëri të çdokujt që do një foto çasti. 47 vite ja ka dedikuar arsimit, si mësues i shkollës 8 vjeçare të kohës në Martanesh.

“Aparatin fotografik e kam pasur edhe në mësuesi, gjatë gjithë kohës. Kam nxjerrë nxënës në fotografi, prindër… ka pasur vlera të mëdha, nxënësit gjatë viteve ndërronin jetë dhe fshatarët nuk kishin ku të gjenin një foto të familjarit të tyre. Prandaj vinin dhe ma kërkonin mua.” – shprehu Biçaku për Abc News.

Biçaku shprehu se sekreti i energjisë së tij janë bimët mjekësore dhe mjalti të cilin e punon vetë dhe është një nga pasionet e tij të mëdha. Për të qëndrimi mes njerëzve të Tiranës është një kënaqësi dhe i jep lumturisë ditëve të tij.

“Vij në këmbë nga shtëpia deri të sheshi. Me shokët bëj fotografi dhe kështu ecën koha. Unë e mbaj veten me bimët mjekësore, se i njoh mirë. Mrekullia e bimëve shëruese të Martaneshit. Të gjithë kanë aparate, por i tërheq aparati i çastit. Unë nuk e bëj për lekë se ekonominë e kam mirë. Një foto kushton 50 lekë.” – rrëfeu ish mësuesi.

Vitet e mbushura mes aktiviteteve kulturore dhe atyre të lidhura ngushtë me arsimin, Biçaku rrëfen edhe mbi njohjet që ka bërë falë aparatit fotografik. Shumë personalitete të njohura të botës së politikës në Shqipëri janë fotografuar nga kamera e Ramadan Biçakut.


Shtuar 1.12.2021 18:54