Flet vëllai i vrasësit të Fildesit: Ia kthyen fëmijët kundër
Ngjarja e rëndë ku Fadil Kasemi vrau ish-gruan e tij, gjyqtaren Fildes Hafizaj ka tronditur gjithë Shqipërinë.

Por vëllai i tij Eduart Kasemi ka vendosur të flasë dhe të tregojë disa detaje të reja në lidhje me nfgjarjen .

Në një intervistë për Gazetën Shqiptare Eduardi tregon se sipas tij Fildesi ia kishte kthyer fëmijët kundër.

Zoti Eduart, vëllai juaj akuzohet për vrasjen e ish-gruas së tij. Cili është reagimi juaj?

Aq shumë sa ka bërë për mua ai vëlla, saqë të më kishte vrarë mua, ia kisha bërë hallall. Për çfarë ndodhi ishte brenda familjes, unë nuk mund të ndërhyja aq shumë në familjen e tyre. Ne e kemi kokën të ulur për atë që ka ndodhur. Vrasja nuk ka justifikim, por ata i kthyen fëmijët kundër.

Vëllai im, sidomos për gocën bënte çdo gjë. E kishte debulesë, siç bëjnë baballarët për gocat. E thërras çunin tim tani këtu në qoftë se ju dëshironi. Ai është në klasë të tretë dhe pyeteni vetë se si sillej Fadili me fëmijët e tij dhe dëgjojeni se çfarë do të thotë. A u ka bërtitur ndonjëherë ai fëmijëve dhe a i ka rrahur ndonjëherë ata? Ai i përkëdhelte gjithë kohës. Nga fundi ikte djali im të takonte nipin dhe mbesën se i donte shumë dhe ata nuk i vinin.


Mendoni se krimin e ka kryer në gjendje të rëndë psikologjike?
Atë nuk e mbante vendi. Ai bëri çdo gjë për familjen e tij dhe ndiente se fëmijët po i largoheshin dhe për këtë gjë fajësonte ish-bashkëshorten. Ai i donte fëmijët e tij dhe distancimi i tyre sipas tij i ndikuar, po e vriste. Kohët e fundit ishte shumë në tension, nuk ishte në vete. Ai ishte njeri me emër dhe humbi çdo gjë, shkoi në zero.

Nipërit e tu thanë për mediat se ata ndiheshin të terrorizuar pranë të atit. Si e shikoni ju reagimin e tyre?
Ata janë fëmijë. Janë të lënduar. Humbën të dy prindërit në të njëjtën kohë. Nuk ishte mirë kështu, si për të ndjerën, ashtu edhe për tim vëlla. Por shiko çfarë bëjnë. Kërkuan ndihmë nga shteti, shtëpi, ndërkohë ai i ka ndihmuar gjithmonë. Çdo gjë që ka, ua ka lënë në testament fëmijëve. Deri dje ata fëmijë me babën ishin duke u puthur dhe sot tregojnë që iknin të mërzitur nga ai. Kush i bën këto gjëra? A janë ata që flasin kështu, apo janë të ndikuar?

A mendoni ju se mund të parandalohej ky krim?
Unë nuk mund ta parandaloja këtë tragjedi, sepse sado ta ruaja, ai mund të çohej natën dhe ta bënte krimin. Nuk ma mori mendja që mund të arrinte në këtë pikë. Sado që u përpoqa, nuk mund të ndërhyja në jetën e tyre, pasi secili ka shtëpinë e vet, nuk më lejonte. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2017, ora 09:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori