Kievi kritikon marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Rusia

Ministria britanike e Mbrojtjes publikoi sot një raport të përditësuar të zbulimit, ku tha se se një “numër i konsiderueshëm” i rreth 200 mijë vdekjeve nga radhët e ushtrisë ruse nga fillimi i sulmi të saj në Ukrainë, nuk është shkaktuar nga lufta, por nga konsumimi i tepërt i alkoolit, aksidentet rrugore dhe hipotermia.

Ndërkohë, Kievi dënoi marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga Rusia dhe paralajmëroi se një kundërofensivë e ushtrisë së saj mund të fillojë në çdo kohë.

“Komandantët rusë e identifikojnë abuzimin me alkool si një nga elementët më të dëmshëm për efektivitetin e ushtarëve në luftë”, thuhet në raportin e përditësuar të ministrisë britanike të Mbrojtjes.

Raporti thekson se kjo prirje është e përhapur gjerësisht në shoqërinë ruse, prandaj është pranuar në heshtje në përditshmërinë e ushtrisë, qoftë edhe gjatë operacioneve luftarake.

Gjetjet vijnë mes pritshmërive për një kundërofensivë të ushtrisë ukrainase të planifikuar për në pranverë

Ministri i Mbrojtjes në Ukranë, Oleksi Reznikov tha javën që shkoi se kundërofensiva mund të fillojë në çdo kohë.

Sipas agjencisë Associated Press, Kievi po përgatitet për një luftë të gjatë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy po angazhohet për të mbajtur të motivuar trupat dhe civilët.

Rusia, udhëheqësi i së cilës akuzohet për krime lufte, të shtunën mori drejtimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që shkaktoi zemërim në Ukrainë.

Presidenti Zelenskyy e quajti këtë një veprim absurd dhe shumë të dëmshëm.

“Rusia kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo dëshmon dështimin e plotë të institucioneve të tilla”, tha ai.

Kryesuesi i organit më të lartë të sigurisë së OKB-së ndryshohet çdo muaj.

Hera e fundit që Moska drejtoi atë ishte shkurti i vitit 2022, kur trupat e saj nisën sulmit e plotë kundër Ukrainës.

Zoti Zelenskyy tha se është koha për rishikim të institucioneve botërore, përfshirë Këshillin e Sigurimit.

“Duhet një reformë, e cila padyshim që është e vonuar, për të parandaluar që një shtet terrorist të shkatërrojë paqen. Terroristët duhet të humbasin dhe duhet të mbahen përgjegjës për terror”, tha ai.

Rreth 400 ditë pas fillimit të luftës, e cila ka shkaktuar mijëra viktima, ka shkatërruar qytete dhe ka detyruar miliona civilë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, Rusia kontrollon disa pjesë të territorit të Ukrainës, ndërsa vazhdon me sulmet e saj në lindje.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë një paketë të re të ndihmave ushtarake, në vlerë prej 2.6 miliardë dollarësh për Kievin, e cila mund të përfshijë radarë të vëzhgimit ajrorë dhe raketa antitankë.