Flet shoferja e "Benzit": Sekondat para tragjedisë në Kamëz
Një hutim në drejtimin e automjetit ka bërë që shoferja 38-vjeçare që dje aksidentoi për vdekje dy persona, të ngatërrojë frenat me gazin.

Kështu ka deklaruar para policisë, Rozina Koleci, e cila dje në Kamëz përplasi me makinën e saj një 29-vjeçar me biçikletë dhe më tej një nënë me dy vajzat e saj të mitura që ndodhej buzë rrugës. Për fat të keq ndërruan jetë i riu dhe vajza 7-vjeçare që ishte kapur përdore me nënën e saj dhe motrën. Këto dy të fundit kaluan rrezikun për jetën pas ndërhyrjes së bluzave të bardha në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Nga aksidenti humbën jetën Ramazan Ishni i cili po lëvizte me biçikletë dhe vajza 7 vjeçe, me inicialet E.N. Në spital ndodhen nëna Valbona Ndreu 29 vjeç dhe vajza e vogël, 6 vjeçe, po me inicialet E.N.

Ndaj Rozina Kolecit 38 vjeçe është firmosur arresti dhe pritet të dalë në gjyq për vlerësimin e masës së sigurisë. Shoferja u përplas fillimisht me biçikletën. Më tej kaloi në karrexhatën tjetër të rrugës duke marrë para nënën me dy vajzat, që ndodheshin në trotuarin e vogël ndarës, dhe më tej është përplasur në korsinë e kundërt me një furgon, të cilit i shkaktoi vetëm dëme materiale. Nga testi i kryer, shoferja nuk ka qenë nën efektin e alkoolit.
Shtuar më 09/08/2018, ora 13:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori