Flet shefja e Epidemiologjisë: Çfarë po ndodh me koronavirusin në Shqipëri
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë konfirmuar 78 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 893 numrin total të të infektuarve. Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik thotë se trendi i rasteve të reja me COVID-19 vijon të mbetet i lartë.

Znj. Tomini shprehet se, kjo nuk vjen vetëm për shkak të heqjes së masave por kryesisht për shkak të mos respektimit të distancimit dhe përdorimit të maskave. “Duken të thjeshta, por nuk po respektohen nga qytetarët. Kjo ndodh në institucione publike, por edhe tek bizneset private”, tha shefja e Epidemiologjisë.

Znj. Tomini thotë se, nuk bëhet fjalë për valë të dytë. Sipas saj ky është vijim i valës së parë, por njerëzit janë më të ekspozuar dhe kështu personat e infektuar, pa simptoma, do të bëjnë transmetimin e virusit.

Kur shumë shpejt pritet që njerëzit të dyndin plazhet, mjekja thotë se ende nuk ka studime të konsoliduara se rritja e temperaturave ul virulencën e COVID-19, ndaj dhe bën thirrje që të tregohet kujdes.

“Virusi është prezent dhe nuk mund të themi se virulenca e tij në Shqipëri është ulur. Aktualisht kemi dyfishim të kapaciteteve të testimeve ditore. Sigurisht që ka vend për të shtuar më shumë testime dhe jemi në përpjekje për të kryer më shumë testime aktive të kontakteve me rastet pozitive”, tha znj. Tomini.

Lidhur me ilaçin anti-viral “Remdesivir” që Agjencia Evropiane e Mjekësisë ka rekomanduar për përdorim në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në BE, Tomini tha se, “është një ndër preparatet që ndjek dhe shërbimi infektiv sipas rekomandimeve të OBSH-së”./euronews
Shtuar më 25/06/2020, ora 22:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori