Flet pronari i BMW që dha alarmin për "bombë": Më kanë kërcënuar
Pëlqej
Pronari i makinës “BMW” me targa AA 895 TX, Gazmir Merkaj, çoi në këmbë Policinë e Fierit, atë të Vlorës dhe forcat xheniere të ardhura që nga Tirana, pasi dyshohet se ai kreu një dëshmi të rreme për një sasi lënde plasëse që i kishin vendosur në automjetin e tij.

Në fakt, alarmi u dha prej tij pasi u arrestua nga Policia e Fierit. Kjo e fundit kreu një kontroll rutinë teksa Merkaj po lëvizte me një tjetër mjet dhe i gjeti një armë të cilën e mbante pa leje.

Dyshohet se për të justifikuar armën, ai sajoi sikur i kishin vënë lëndë eksplozive në makinë dhe se ai armën e mbante për siguri duke qenë se kohët e fundit ndihej i kërcënuar.

ARRESTIMI

Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, Gazmir Merkaj, person me precedentë të mëparshëm penalë pasi ka kryer një dënim për grabitje, është ndaluar në orët e vona të së martës nga Policia e Fierit.

Blutë kanë kryer një kontroll në automjetin e vlonjatit dhe kanë gjetur një armë, e cila nga verifikimi ka rezultuar pa leje.

Fillimisht ai ka këmbëngulur se e mbante për vetëmbrojtje armën, pasi kohët e fundit ndihej i rrezikuar, por pa specifikuar më tej ndonjë konflikt të mundshëm apo emra konkretë prej të cilëve trembej.

Pasi ka qëndruar për disa orë në Polici me shpresën se do të lirohej, ai ka vënë në alarm efektivët teksa këta të fundit i kanë komunikuar ndalimin për armëmbajtje.

“Isha nisur për të bërë denoncimin në Polici pasi makinës time që është e parkuar në lagjen 'ushtrimi', afër Drejtorisë së Policisë së Vlorës i kanë vendosur lëndë plasëse", është shprehur Merkaj para efektivëve të Policisë së Fierit.

Sipas tij, ai ka pasur frikë për jetën e tij dhe për shkak të dyshimeve se edhe në shtëpi mund t’i kenë hyrë persona të panjohur, në momentet kur ai nuk ndodhej në banesë, e kanë detyruar atë që pak ditë më parë të ndërronte edhe bravën e derës.

Merkaj ka theksuar se armën e mbante për vetëmbrojtje, ndërsa në Fier kishte mbërritur pikërisht për të kryer denoncimin rreth dyshimeve mbi lëndën eksplozive në makinën e tij. Pyetur nga Policia se përse nuk e kishte bërë denoncimin në Vlorë, Merkaj ka deklaruar se nuk e kishte kryer për arsye sigurie, por pa qartësuar më shumë rreth këtij fakti. /albeu.com/


Shtuar më 02/08/2018, ora 13:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori