4 mijë euro për të kaluar në Qafë Thanë, arrestohet turku që ngarkonte kamionin me klandestinë

Policia Kufitare e Qafë Thanës ka goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës për të kaluar në mënyrë të paligjishme kufirin kundrejt një pagese.

Një shtetas turk është arrestuar pasi u kap duke hyrë në terrritorin e Shqipërisë me 4 emigrantë të paligjshëm në kamion.

Mësohet se shtetasi turk M.T, 49 vjeç do t’i kalonte përtej kufirit emigrantët kundrejt një pagese prej 4 mijë eurosh  për kokë.

Njoftimi i policisë:

Qafë Thanë, Pogradec

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Policia Kufitare e Qafë Thanës godet një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

U kap duke hyrë në territorin e Shqipërisë me 4 emigrantë të paligjshëm në kamion, vihet në pranga një shtetas turk.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë dhe në skaner, mjetin tip kamion të markës “Daf”, me drejtues shtetasin M. T., 49 vjeç, banues në Stamboll, Turqi. Në pjesën e brendshme të trailerit të kamionit, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 4000 euro personi, 49-vjeçari iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Veprimet e mëtejshme u kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. T., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për hetime të mëtejshme.