Flet nëna e shqiptarit të vrarë në Greqi: E rrita me thërrime, 2 vjet pa e parë
Nëna e të riut që mëngjesin e së hënës u gjet i masakruar në fshatin Gliki të Igumenicës në Greqi, Adelina Terpollari me lot në sy tregon se, "e rita me një mijë halle dhe me thërrime, kisha dy vjet pa e parë dhe më kishte tretur malli për të".

Gjatë një interviste të dhënë për GSH, 55-vjeçarja Terpollari tha se Bledari ishte larguar nga banesa që kur ishte 18 vjeç dhe kishte emigruar në Greqi.

"Me Bledin flisja një herë në muaj në telefon. Më thoshte që punonte si çoban në Greqi, por asnjëherë nuk na kishte ndihmuar, nuk na çonte para", pohoi nëna e viktimës.

Që në momentin që kanë mësuar lajmin për vrasjen e djalit, familja Terpollari në fshatin Backë të Skraparit ka hapur dyert e mortit. Në shtëpinë njëkatëshe të prindërve të viktimës, dje, hynin e dilnin njerëz për ngushëllim.

"Lajmin e kobshëm e mora vesh nga televizori. Nuk doja ta besoja se personi për të cilin flitej ishte im bir. Por, kur dëgjova emrin, ma ndjeu zemra se bëhej fjalë për Bledin tim (qan). Ma vranë dhe ma masakruan djalin që e kam rritur me një mijë halle. E kam rritur me thërrime buke", shprehet ajo.

Ndër të tjera ajo shton se "Zemra ime është përvëluar, pasi më morën dritën e syve. Unë prisja ta takoja djalin, pasi më kishte marrë shumë malli, ndërsa tani po e pres të më vijë në arkivol. Është e tmerrshme kjo që ndodhi! Vetëm një zemër nëne e di gjëmën që më ka rënë përsipër". /albeu.com/
Shtuar më 12/05/2016, ora 08:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori