Flet Kid Kazazi: Çfarë ndodhi me mikun e Rroshit
Kryetari i FRPD-së Kavajë, Kidi Kazazi, i cili u plagos mesditën e së premtes përpara lokalit të tij nga ish-drejtori i Zyrës së Punës, Sajmir Kurti, ka deklaruar se ngjarja nuk kishte ngjyra politike.

Gjatë një prononcimi të dhënë për Panorama, ai u shpreh se shkak
për përplasjen është bërë bashkëshortja e Kurtit, të cilës ai dhe babai i kishin kërkuar të mos parkonte para lokalit të tyre, pasi u pengonte aktivitetin e përditshëm.

Kazazi tregoi momentet e përplasjes fizike me Sajmir Kurtin, i cili, pasi i telefonoi bashkëshortja, kishte shkuar për t’u kërkuar llogari te lokali në pronësi të familjes Kazazi. “Ngjarja nuk ka fare ngjyra politike. Historia është e tillë: Gjatë paradites, bashkëshortja e Sajmirit parkoi automjetin para lokalit në pronësi të familjes sonë. Ne i kërkuam ta largonte makinën nga parkingu i lokalit, pasi e kishte bërë rrugë, duke e parkuar thuajse çdo ditë aty.

Ajo lajmëroi bashkëshortin e saj, Sajmir Kurtin, i cili erdhi na kërcënoi me armë zjarri në ambientet e brendshme të lokalit, ku në ato momente ndodhesha unë dhe babai im Eqerem Kazazi.

Filloi të bërtiste dhe shante, duke krijuar një situatë të pakëndshme. Pas një përleshjeje në ambientet e brendshme të lokalit, ne e qëlluam disa herë atë si dhe ia morëm pistoletën.

Në momentin që dolëm në ambientet e jashtme të lokalit, ai rrëmbeu sërish pistoletën dhe qëlloi në drejtimin tonë, duke na lënë të plagosur mua, babanë tim dhe një tregtar ambulant që ndodhej aty rastësisht. Më pas u largua me shpejtësi”, u shpreh kreu i FRPD-së Kavajë, i cili ka lënë dje spitalin dhe bashkë me të atin, që gjithashtu mbeti i plagosur, është rikthyer në shtëpi.

“Aktualisht ndodhemi mirë nga ana shëndetësore. Pasi kemi marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Kavajës, tashmë ndodhemi në shtëpi pranë familjes sonë. Ishte një ngjarje e pakëndshme, për vetë faktin se Sajmiri kishte ardhur i armatosur dhe me qëllim për t’u konfliktuar me ne.

Ne nuk e ofenduam aspak bashkëshorten e tij, vetëm i kërkuam të mos e parkonte më makinën para lokalit, sepse e kishte bërë rrugë dhe na pengonte në punën e përditshme. Nuk kemi pasur fërkime me herët me Sajmirin. Ai erdhi si i fortë, me armë në brez, duke na kërcënuar se do të na vriste.

Ne ua kemi lënë në dorë gjithçka autoriteteve përgjegjëse dhe presim që kjo ngjarje të zbardhet dhe secili të marrë atë që meriton”, ka pohuar ndër të tjera kreu i FRPD-së Kavajë, Kidi Kazazi, i cili së bashku me babanë e tij, Eqerem Kazazi dhe një shitës ambulant u plagosën nga Sajmir Kurti me armë zjarri.
Shtuar më 19/06/2016, ora 09:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori