Flet Edit Harxhi: Do t‘i kthej ambasadës në SHBA krenarinë e kohës së Konicës
Albeu.com
“Shqipëria ka pasur dy kryeministra më të vegjël se unë”, thekson ajo në një intervistë të dhënë për gazetën Panorama. Shkrimet për rolin e grekëve dhe CIA-s në vitin 1997 nuk janë mendimi im, por vetëm pasqyrim i atyre çfarë thanë mediat greke, amerikane, italiane, angleze të asaj kohe.Ato janë shkrime akademike dhe duhen lexuar drejt. Kjo është përgjigja e Edit Harxhit, emrit të ri të propozuar nga qeveria për të përfaqësuar diplomacinë tonë në Amerikë. 33-vjeçarja nuk e ndjen veten aspak të “vogël” për një detyrë të tillë. “Shqipëria ka pasur dy kryeministra më të vegjël se unë”, thekson ajo në një intervistë të dhënë për gazetën.
Bashkëshorti juaj është me kombësi turke. Mediat dhe opozita e ka përdorur këtë si një arsye pse ju nuk duhet të jeni përfaqësuesja e Shqipërisë në Washington?
Unë kam mbaruar studimet në vitin 1996 në Britaninë e Madhe për Shkenca politike dhe Marrëdhënie ndërkombëtare. Pas përfundimit të studimeve jam kthyer në Shqipëri. Gjatë studimeve të mia, që prej vitit 1992, jam njohur me një djalë në Edimburg të Skocisë, i cili ishte me nënshtetësi dhe kombësi turke. Ai ishte në Edimburg për të mbrojtur doktoraturën në Gjenetikë. Në atë kohë merrte pjesë në ekipin që ka bërë klonimin e parë në botë, të deles “Dolly”. Pra im shoq është shkencëtar në radhë të parë. Megjithatë, për fat ky djalë me shtetësi dhe kombësi turke kishte nënë me origjinë shqiptare, prej Manastirit. Dhe më e rëndësishmja është se ne jemi njohur në Edimburg, një vend neutral, pa asnjë lidhje as Turqinë, as me Tiranën. Unë nuk arrij të kuptoj si mund të etiketohet, apo t’i vihen epiteti një personi i cili martohet me një të huaj. Në rastin tim, për fat të mirë, ai i huaj, jo vetëm që është me origjinë të vjetër shqiptare nga njëra anë, por në të njëjtën kohë është edhe nënshtetas shqiptar. Im shoq në mes të vitit 1997 ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Kështu që kur jemi martuar zyrtarisht, në gusht të vitit 1997, im shoq ishte me nënshtetësi shqiptare. Kjo hedh poshtë edhe arsyen, të paktën mediatike, që është hedhur kohët e fundit për largimin tim nga shërbimi diplomatik.

Pse ka qenë nënshtetësia e burrit tuaj një arsye për largimin tuaj nga ambasada në Ankara në vitin 1998?
Nuk është kjo, por dikush në media ka thënë se origjina e bashkëshortit tim mund të ketë ndikuar në largimin tim nga diplomacia shqiptare.

Atëherë cila ka qenë arsyeja e vërtetë e largimit nga ambasada?
Unë jam bërë pjesë e diplomacisë shqiptare në tetor të viti 1996, sapo u ktheva nga Britania e Madhe. Në prill të vitit 1997 kam marrë emërimin për të punuar në ambasadën shqiptare në Ankara. Isha jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj diplomacisë, edhe për faktin se isha një ndër diplomatet e pakta me shkollë në Shqipëri. Dhe në momentin kur të gjithë shqiptarët largoheshin, unë kthehesha. Në mars të vitit 1998, në ambasadën shqiptare në Ankara ka ardhur një shkresë nga Ministria e Jashtme në të cilën kërkohej kthimi im në atdhe. Në prill të vitit 1998, erdha në Tiranë dhe takova drejtorin e personelit në Ministrinë e Jashtme. Ai nuk më tregoi motivacionin e kthimit tim në Tiranë. Më tha se nuk ka asnjë lloj motivacioni. I thashë se “Çfarë duhet të bëj tani, ku do të filloj punë?. Përgjigja ishte: “Edit, ti bën mirë të bësh një pushim të gjatë”. Kërkova edhe një takim me ministrin e Punëve të jashtme për të marrë motivacionin e kthimit në atdhe, por përgjigja që mora ishte: Ministri nuk ka kohë t’ju takojë.

Çfarë bëtë pas largimit nga Ministria e Jashtme?
Mbaj mend që pas dy javësh jam kthyer sërish në Ankara. Fillova studimet e doktoraturës për Marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Ankarasë.
Përveç origjinës së bashkëshortit tuaj ju jeni akuzuar, ose më saktë ka disa shkrime dhe botime të firmosura nga ju ku flitet për një komplot greko-komunist ndaj Shqipërisë në vitin 1997. Ndër të tjera ju përmendni edhe një ndikim negativ të CIA-s gjatë atyre muajve në Shqipëri. A e bën kjo kandidaturën tuaj jo fort adekuate për të përfaqësuar Shqipërinë në SHBA?
Unë kam shkruar shumë shkrime. Gjatë 15 viteve të fundit jam munduar të bëhem një studiuese e historisë, e shkencave politike, e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sidomos për politikën e jashtme të rajonit. Kështu që në të gjitha shkrimet e mia po të lexohen, do të vihet re shumë qartë se janë akademike. E veçanta midis shkrimit akademik dhe shkrimit publicistik qëndron në atë që në shkrimin akademik citohen autorët. Merren citime të ndryshme dhe nuk ka interpretime personale, por vetëm interpretime shkencore të çështjeve. Pikërisht kjo ka ndodhur edhe me të gjitha shkrimet e mia. Kam shkruar për Kosovën, kam shkruar për çështjen në rajon në ato vite, kam shkruar edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Dhe cili ka qenë ky rol në shkrimet tuaja në rastin e Shqipërisë?
Absolutisht pozitiv. SHBA është aleati më i fortë i Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë në mënyrë të padiskutueshme.
Nga ana tjetër, viti 1997 është një moment historik në Shqipëri. Unë do të doja që viti 1997 të studiohej nga politologë dhe jo thjesht të shkruhet nga publicistë të radhës. Duhet të jetë një termë studimi botëror dhe të jepen mendime shkencore. Pikërisht këtë jam munduar të bëj edhe unë. Shkrimet e mia të vitit 1997 janë shkrime studimore. Shkrimi për të cilin këtu është bërë bujë e madhe është një shkrim ku unë kam cituar median greke. Ai është rreth 40 faqe, sigurisht që ju e kuptoni se një shkrim 40 faqe nuk është publicistik, por akademik. Në atë shkrim citohen shtypi dhe media greke, italiane, amerikane, turke, angleze, pra janë të gjitha citime. Interpretimet e tjera në atë shkrim janë interpretime pikërisht mbi bazën e këtyre thënieve, citimeve që unë kam marrë. Unë kam bërë një hulumtim shkencor. Askush deri sot nuk ka marrë të hulumtojë se çfarë ka thënë shtypi i huaj për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri.

Pra atje nuk është mendimi juaj, por një rezyme e shtypit të huaj?
Pikërisht. Eshtë vetëm shtypi i huaj, çfarë kanë shkruar të huajt. Unë jam një studiuese e politikës amerikane në Ballkan dhe jam favorite e saj. Kjo edhe për faktin tjetër se në studimet e mia në Britaninë e Madhe, unë i përkas shkollës së mendimit konservator, si mendim politik. Kështu që kjo më bën edhe më tepër pro amerikane.

Ju nuk keni qenë në Shqipëri, të paktën për 7-8 vitet e fundit. Pra jeni e shkëputur, të paktën fizikisht nga jeta shqiptare. Ju do të shkoni të përfaqësoni, në rast se ju do të dekretoheni nga Presidenti, pikërisht këtë realitet në SHBA. A është ky një problem për ju dhe cili do të jetë vizioni juaj për diplomacinë shqiptare në Amerikë?
Në radhë të parë unë mendoj dhe studioj mbi politikën amerikane në Ballkan. Aktual është roli i SHBA në Kosovë. Këtë e them për vetë faktin që unë kam pesë vite që punoj në Kosovë pranë organizmave amerikanë, UNMIK-ut, por kam pasur edhe një bashkëpunim shumë të mirë me zyrën amerikane në Prishtinë gjithë këtë kohë. Kur sheh rolin e SHBA në Ballkan dhe sidomos në Kosovë e kupton fare qartë që SHBA është pa diskutim aleati ynë kryesor. Dhe ky aleat ka qenë historikisht, që me presidentin Wilson, i cili ishte diplomati kryesor që bëri që Shqipëria të përfaqësohej në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920. Kjo politikë ka vazhduar gjatë gjithë kohës dhe mendoj se do të jetë po aq e gjatë sa ka qenë edhe historia. Nga ana tjetër, zhvillimi i marrëdhënieve nuk bëhet mbi bazën e asaj që prek dhe që shoh unë sot në Shqipëri. A eci në rrugë, apo si janë rrugët e Shqipërisë. Zhvillimi i marrëdhënieve është nga njëra anë konceptual dhe në anën tjetër një shprehje e politikave të këtyre dy vendeve përkrah njëri-tjetrit. Përderisa politikat e këtyre dy vendeve janë të shkëlqyera, atëherë edhe këto marrëdhënie do të jenë të shkëlqyera. Në rast se unë do të dekretohem, do të punoj me përkushtimin më të madh për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Unë mendoj që një nga kahjet e mira, përsa i përket këtyre marrëdhënieve përveç senatit, Kongresit, Departamentit të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe qarqeve të tjera zyrtare të SHBA, do të jem e fokusuar shumë edhe për nga lobi shqiptar në Amerikë. Dihet që lobi shqiptaro-amerikan është lobi më i fuqishëm sot në botë. Unë mendoj dhe në rast se do të dekretohem, do të punoj që ta kthej ambasadën shqiptare në Washington në shtëpi të lobit shqiptar në Amerikë. Ambasada do të jetë e hapur për të gjithë miqtë e Shqipërisë, në Senatin amerikan, në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjitha instancat amerikane. Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Ambasada shqiptare në Washington ka një të kaluar të hershme shumë të ndritur. E kam fjalën për kohën e Faik Konicës. Konica është edhe ambasadori i parë i yni në SHBA. Ajo çka bëri Konica, me eruditizmin e tij, me akademinë e tij të përgjithshme dhe me dashurinë e tij, sepse nuk mund të jesh një diplomat i mirë po nuk dashurove vendin tënd, është që brenda një viti të bëhej dekan i trupit diplomatik në SHBA. Pra përfaqësuesi i një vendi të vogël si Shqipëria të bëhet dekani i trupit diplomatik në SHBA. Dhe ishte një ndër dy personat për të cilët presidenti i asaj kohe, Wilson, i priste pa sekretari në Shtëpinë e Bardhë. Personi tjetër ishte Fan Noli. Unë do të punoj, në rast se do të dekretohem nga Presidenti dhe do të akreditohem nga shteti amerikan, në kthimin e atij nderi që ka pasur ambasada shqiptare në kohën e Konicës.

Sfidat dhe idetë duken shumë të mëdha. Por e kundërta e një diplomateje karriere është mosha juaj. Ju jeni 33 vjeç dhe do të duhet të përfaqësoni Shqipërinë në SHBA. A është ky një problem për ju dhe një zgjidhje jo fort e mirë?
Mendoj që mosha ime 33 vjeç absolutisht nuk përbën problem. Shqipëria ka pasur dy kryeministra që kanë qenë edhe më të rinj se unë në moshë. E dyta, vendet me demokraci të brishtë, që janë vendet e Evropës Lindore, aktualisht përfaqësohen me diplomaci të re, pra me diplomatë të rinj. Po të shihni trupin diplomatik të vendeve të Evropës Lindore, që dolën nga perdja e hekurt gjatë 15 viteve të fundit, i kanë diplomatët e rinj. Kjo sepse kanë futur një frymë krejtësisht të re. Mua nuk më sfidon aspak detyra, do të jem unë, në rast se do të më jepet mundësia, ajo që do të sfidoj detyrën.




P베shkrimet anti-Greqi
“Në shkrim nuk është mendimi im. Eshtë vetëm shtypi i huaj, çfarë kanë shkruar të huajt. Unë jam një studiuese e politikës amerikane në Ballkan dhe jam favorite e saj. Kjo edhe për faktin tjetër se në studimet e mia në Britaninë e Madhe, unë i përkas shkollës së mendimit konservator, si mendim politik”.

Për moshën shumë të re
“Mendoj që mosha ime 33 vjeç absolutisht nuk përbën problem. Shqipëria ka pasur dy kryeministra që kanë qenë edhe më të rinj se unë në moshë. E dyta, vendet me demokraci të brishtë, që janë vendet e Evropës Lindore, aktualisht përfaqësohen me diplomaci të re, pra me diplomatë të rinj”.
nga Redi Gjuzi, Panorama
Shtuar më 26/10/2005, ora 13:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori