Fleckenstein qetëson shqiptarët: Holanda nuk mund t'i rikthejë vizat
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka komentuar vendimin e shumicës në Parlamentin Holandez për të rekomanduar pezullimin e vizave për shqiptarët.

Në një reagim për gazetën “TemA”, eurodeputeti gjerman gjykon se kjo është lëvizje e motivuar politikisht para zgjedhjeve në Parlamentin Europian dhe e mbështetur nga disa politikanë shqiptarë.

“Unë mendoj se kjo është një lëvizje e motivuar politikisht nga Parlamenti holandez përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj. Unë supozoj se mbështetet gjithashtu edhe nga disa politikanë shqiptarë”, shprehet Fleckenstein.

I pyetur nga gazetari Andrea Danglli se si do të ndikojë ky vendim në procesin e hapjes së negociatave, eurodeputeti e përjashton rrezikun që mund t’i vijë Shqipërisë.

“Unë nuk shoh absolutisht asnjë rrezik që liberalizimi i vizave mund të pezullohet për qytetarët shqiptarë. Jam i befasuar që parlamentarët holandezë besojnë se krimi i organizuar ka nevojë për vizë për t’u penguar”, nënvizon eurodeputeti Knut Fleckenstein.

Më herët, Parlamenti i Holandës votoi pro propozimit për heqjen e vizave me Shqipërinë duke parështruar si arsyeje kriminalitetin e shtuar të shtetasve shqiptarë që jetojnë në këtë vend. Ishin 5 parti politike VVD, CDA, PVV, SP dhe CU që kërkuan votim në Parlament për rikthimin e vizave për Shqipërinë. Ndërkohë, forcat politike VVD, CU dhe CDA janë 3 nga 4 partitë e koalicionit qeverisës.
Shtuar më 24/04/2019, ora 20:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori