Fleckenstein: Përfundimi i bojkotit, zhvillim pozitiv për demokracinë
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, priti sot Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, me të cilin biseduan mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, me fokus të veçantë konsolidimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik në Kuvend.

Ilir Meta shprehu mirënjohjen e tij për përpjekjet e eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Parlamentit Evropian, në mbështetje të dialogut politik dhe frymës së bashkëpunimit konstruktiv në Shqipëri.

Në këtë kuadër, Meta vlerësoi rikthimin e opozitës në Kuvend gjatë muajit dhjetor dhe nënvizoi vullnetin për të mirëpritur një angazhim edhe më aktiv të të gjitha palëve politike, si dhe të shoqërisë civile e grupeve të interesit, në funksion të përmbushjes së prioriteteve që kërkon integrimi evropian i vendit.

Raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, u shpreh se përfundimi i bojkotit parlamentar të opozitës, vlerësohet si një zhvillim pozitiv për demokracinë shqiptare, duke vënë në dukje se Parlamenti Evropian do të jetë gjithnjë pranë Shqipërisë, për avancimin edhe më të shpejtë të procesit të integrimit evropian.

Në përfundim, Meta dhe Fleckenstein ndanë bindjen se Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e frymës së bashkëpunimit substancial politik në vend dhe në progresin e reformave madhore që nevojiten, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe strukturave të Bashkimit Evropian, është thelbësor në këtë drejtim. /albeu.com/

Shtuar më 08/01/2015, ora 13:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori