Flamuri amerikan valoi për Ahmetin
Albeu.com
Nga “Lista e zezë” në piedestalin e Pentagonit. Në BDI thonë se Ahmeti është personaliteti i parë në Maqedoni të cilit i është bërë nder i këtillë prej Pentagoni. Pentagoni (Ministria e Mbrojtjes e Shteteve të Bashkuara të Amerikës) ka nderuar lartë kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti. Më 28 shkurt të këtij viti për nder të tij mbi ndërtesën e Pentagonit, është ngritur flamuri amerikan, ka kumtuar të mërkurën shërbimi për informim i BDI-së.
Të martën në mbrëmje Ahmetit i është ndarë edhe një certifikatë, e nënshkruar nga Robert W. Taylor, ushtrues detyre drejtor në Agjencinë për Mbrojtje në Pentagon, me të cilën konfirmohet ky veprim.
“Me këtë certifikatë dëshmohet se flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ngritur dhe ka valuar mbi Ndërtesën e Pentagonit për z. Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në certifikatë.
Kryetari i BDI-së Ahmeti ka shprehur falënderime të përzemërta për respektin mirënjohës të shprehur nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në të njëjtën kohë, çmojmë se ky veprim është një mirënjohje e madhe për rolin dhe punën që z. Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim është duke e luajtur në ndërtimin e demokracisë, paqes dhe stabilitetit në Maqedoni”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Në BDI thonë se Ahmeti është personaliteti i parë në Maqedoni të cilit i është bërë nder i këtillë prej Pentagonit. Akti mirënjohës i Pentagonit për Ahmetin vjen përafërsisht pesë vite pasi kryetari i BDI-së pati hyrë në “Listën e zezë” të Departamentit amerikan të financave, në cilësinë e udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Në “Listën e zezë” Ahmeti ka figuruar deri në fund të muajit qershor të vitit 2001.
nga ISEN SALIU, Lajm
Shtuar më 30/03/2006, ora 20:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori