Shtrenjtimi i naftës, flasin ekspertët

Naftë ka, por çmimi i saj nuk do të ulet me mbarimin e luftës. Nervozizmi i krijuar në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një rritje të çmimit të naftës globalisht. Aktualisht, në bursa nafta tregtohet me 115 dollarë fuçia, por luhatja e vazhdueshme nuk pritet të zbusë çmimin e lartë të hidrokarbureve që reflektohet edhe në vendin tonë. Pavarësisht panikut dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, ne nuk do të vuajmë mungesën e naftës duke e siguruar atë nga Arabia Saudite.

“Në tregjet ndërkombëtare nuk ka pasur mungesë nafte, pra pak a shumë ka qarkulluar në sasi të njëjtë. Në fakt, nafta ka gjetur kanalet e veta të shpërndarjes dhe ka mbërritur në destinacione si para disa muajve,”- thotë për A2 CNN Dael Dervishi, ekspert për ekonominë.

Shumë vende europiane, së fundmi dhe Gjermania, kanë hequr apo ulur disa nga taksat e naftës për të mos rënduar barrën e shpenzimeve të qytetarëve. Ndërkohë në vendin tonë bordi i transparencës duket se kontrollon vetëm rritjen. Për ekspertët një zgjidhje afatgjatë në kushtet e krizës do të ishte krijimi i një enti rregullator për hidrokarburet.

“Siç e kanë shumë vende të tjera, si Maqedonia e Veriut për shembull. Që të monitorojë luhatjet e çmimeve. Dhe jo të jetë qeveria që është pjesë aktive, është palë në treg, sepse qeveria është blerëse e naftës”, thotë Dervishi.

Situata me çmimin e karburanteve mbetet e paqartë, për shkak të dinamikave në tregun ndërkombëtar dhe efekteve të luftës në Ukrainë. Ekspertët vlerësojnë se gjatë vjeshtës do të ndihet edhe impakti më i madh i një rritje të mundshme të çmimit në buxhetet familjare.