Fjalët e fundit të Xhaferit para se të vriste veten: E vrava se me ndau familjen
Ndërkohë që kanë kaluar disa ditë nga vrasja e dyfishtë në Tiranë, ngjarja e rëndë ka tronditur thellë qytetarët.

"E vrava se më ndau nga familja". Kështu u është përgjigjur Xhafer Mata dëshmitarëve, që e pyesnin pse e kishte vrarë vajzën.

Një nga banoret e zonës, e cila edhe punon pranë vendit të ngjarjes, tregon momentin e krimit dhe më pas vetëvrasjen e autorit.

Ajo thotë se 31-vjeçari e kishte qëlluar një herë ish-të dashurën, më pas ishte ulur pranë saj duke e qëlluar sërish.

Në këtë moment ajo ka vdekur në vend. Ndërsa më tej, dëshmitarja tregon se ka lajmëruar Policinë.

Në kohën që në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Njësisë “Shqiponja” dhe po i bënin thirrje autorit që të hidhte armën e të dorëzohej, ai kishte kaluar nga ana tjetër e rrugës dhe është vetëvrarë në sy të policëve.

Në një intervistë dëshmitarja tregon rrethanat e krimit dhe përballjen me autorin, i cili i ka thënë që s’duhej të kishte frikë se nuk do e vriste, shkruan Panorama.

A i njihnit dy të rinjtë?

Jo, as nuk i njoh as nuk i di. Atë djalin si fytyrë e kisha parë këtu, këto tri ditët e fundit. Vinte çdo ditë në mëngjes. Kurse vajzën nuk e kisha parë asnjëherë.

A arritët të shihnit se si ndodhi ngjarja?

Për ta parë nuk e pashë dot, sepse ka ndodhur pas këtyre shkurreve dhe nga aty nuk duket asgjë. Kur dolëm ne e kishte vrarë ai, ç’të shikonim. As për të dëgjuar nuk dëgjuam gjë.

Nuk pati debat para se ta qëllonte vajzën?

Mund të kenë debatuar, sepse dëgjoheshin disa zëra, por se për çfarë nuk mund ta them, sepse nuk dëgjohej biseda.

Po krismat i dëgjuat?

Po, fillimisht dëgjova dy krisma, po mendova mos ishin kapsolla. Pastaj e pashë që po trembte njerëzit në rrugë. Më pas kaloi matanë, në krahun tjetër të rrugës dhe vrau veten. Kur erdhi Policia e vrau veten. Pra, e vrau vetën në prezencën e policisë? Po, po në sy të policisë u vetëvra. Kur erdhën ata të “Shqiponjave”, ata me motorë dhe i kërkonin të dorëzohej, të hidhte armën, ai e ktheu nga vetja dhe vrau veten.

U përballe në ndonjë moment me djalin?

Po në një moment e pashë, pasi kishte vrarë veten. Dola në rrugë të shihja se çfarë po ndodhte dhe e pashë djalin që ishte me pistoletë në dorë.

U frikësova me thënë të drejtën. Sepse e pashë edhe vajzën që ishte shtrirë e gjakosur në trotuar. “Mos ki frikë se nuk të vras”, më tha. Unë desha të shkoja të ndihmoja atë vajzën, por u tremba.

Po pistoletën e mbante gjithë kohës në dorë?

Në dorë, në dorë. E lëshonte në tokë në ndonjë moment. Pastaj e merrte prapë, bënte sikur e mbushte, e ulte me tytë nga trotuari. Por në dorë e mbante derisa erdhi policia.

Por me aq sa pashë unë, nga veprimet që bënte pas ngjarjes, ai e kishte të ndarë mendjen që pasi vrau atë do vriste edhe veten.

Vajza kishte vdekur në vend?

Vajza vdiq në vend kur i qëlloi për herë të dytë. E qëlloi një herë, pastaj herën e dytë ishte ulur afër asaj, e gjuajti edhe një herë dhe ajo vdiq në vend. Kur shkova unë ta shihja, ishte e mbuluar në gjak.

Sa zgjati ngjarja? Sa kohë pasi vrau vajzën qëlloi edhe veten?

As 15 minuta nuk ka zgjatur e gjithë ngjarja. Unë ndërkohë kisha lajmëruar Policinë dhe më thanë që po niseshin menjëherë. Si unë mund t’i kenë lajmëruar edhe të tjerë.

Ishte ora 08:10 dhe kishte shumë njerëz që kalonin në rrugë e të tjerë që mund të kenë dalë nëpër dritaret e pallateve. Por ai sa erdhi Policia e vrau edhe veten.

Çfarë bënte gjatë këtyre 15 minutave?

Asgjë. Ecte sa para mbrapa me pistoletë në dorë. Një herë u ul aty tek ajo, pastaj sillej vërdallë, derisa kaloi nga krahu tjetër i rrugës, afër një peme dhe vrau veten. Gjatë kohës që rrinte aty afër vajzës në trotuar, nuk i afrohej asnjë kalimtar. Të gjithë kishin frikë dhe kalonin nga krahu tjetër.

Madje, një nga banorët kur po kalonte afër vajzës e ka pyetur se çfarë i kishte ndodhur që ishte e gjakosur. “E vrava unë”, i ka thënë djali. “Po pse?”, e ka pyetur ai. “Se më ndau nga familja”, i është përgjigjur. Kaq, s’di çfarë t’ju them më shumë, sepse nuk dëgjova asgjë se për çfarë mund të jenë zënë. Se nuk pati të bërtitura.

Pra, ju thoni që nuk kanë debatuar?

Nuk di ta them këtë. As nëse po ecnin bashkë apo ky ishte para apo pas vajzës. Unë thjesht në një moment dëgjova një të bërtitur dhe mendova se çfarë ndodhi. Para një jave doli një gjarpër këtu dhe u trembën kalimtarët dhe po bërtisnin.

Mendova mos kishte dalë prapë. Por në asnjë moment nuk më shkoi mendja te ndonjë vrasje. Dola të shihja dhe rastisa përballë djalit që ishte me pistoletë në dorë. Ai tha të mos kisha frikë, por kur pashë pistoletën dhe vajzën e gjakosur, e kuptova se çfarë kishte ndodhur. /albeu.com/

Shtuar më 10/06/2018, ora 13:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori