Fjalë prekëse për Marjusin: Më dhemb në zemër, nuk dua ta pranoj
Pëlqej
Miq, të afërm e shumë nga ata që e njihnin Marjus Djerrin, 22-vjeçarin nga Shijaku që humbi jetën një ditë më parë gjatë shembjes së urës Morandi në Genova të Italisë, kanë mbushur profilin e tij në Facebook me dedikime prekëse.

Fjalë të ndjera zemre, që e kanë zanafillën tek mirësia e Marjusit kanë mbushur profilin e tij. Dikush nuk do ta pranojë humbjen, dikush tjetër shprehet se do të ketë drejtësi për të, e prandaj lutet që ai të pushojë në paqe.

“Nuk kam arritur të fle, pasi akoma nuk e besoj dot që ti nuk je më. Njiheshim që kur ishim të vegjël Marjus, ndërsa tani të morën nga ne! Do na mungosh”, shprehet njëra nga mikeshat.

“Zgjohem pas një nate me ëndrra mankth e dhimbje. Më dhëmb në zemër Marjus. Nuk mund ta besoj. Nuk dua ta pranoj, nuk gjej arsye, kjo nuk është e drejtë. Nuk do të harroj kurrë, ty ëngjëllin biond gjithmonë të qeshur. Mikun e shkollës, të futbollit, mbi të gjitha mikun që çdo nënë do të donte për djalin e saj. Ti ishe ai, do mbetesh përgjithmonë i tillë. Nga atje lart ndohmo dhe mbroje familjen tënde”, shprehet nëna e mikut të tij.

Ndërsa një mik tjetër, poston foton me Marjusin dhe i thotë: “Do të doja të të kujtoja gjithmonë kështu! Prehu në paqe miku im”.

“Do të të kujtojmë gjithmonë ashtu siç ishte Marjus”, thotë një tjetër.

“Entiziazmi dhe gjallëria jotë do vazhdojë ta mbajë të fortë kujtimin tënd, duke na zbukuruar ditët. Lamtumirë kushëriri im. Do mbetesh gjithnjë pranë nesh me këtë buzëqeshje e këto sy blu. Do ketë drejtësi për të gjithë këtë. Pusho në paqe”,- shprehet një prej kushërirave të tij.
Shtuar më 15/08/2018, ora 15:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori