Fitzgerald: Grupet e armatosura do te luftohen
Albeu.com
Kapja e një sasie të konsiderueshme të municionit tregon se aktet e tilla mund të destabilizojnë Maqedoninë. Kështu deklaroi Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të Komandës në Napoli, admirali amerikan Mark ...... Fitzgerald, i pyetur nga ALSAT-M për incidentin e fundit në Bllacë të Maqedonisë dhe kapjen e një sasie të municionit në territorin e Kosovës. “Unë mund të them se ka një koordinim të mirë në mes të Shkupit dhe Prishtinës. Ndërhyrja në këtë situatë ka qenë adekuate dhe problemi është zgjidhur shumë shpejtë në dy anët e kufirit. Duke pasur parasysh numrin e municionit i cili është gjetur e cila që ka qenë në një sasi të konsiderueshme tregon se akte të këtilla do të mund të destabilizonin një shtet, në këtë rast Maqedoninë dhe këtë gjë e kemi në konsideratë. Mirëpo lajmi i mirë është se ka një bashkëpunim të mirë që këto grupe të vogla të individëve të asgjësohen sa më shpejtë”, u shpreh Mark Fitzgerald, Komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate të Komandës në Napoli. Komandanti i 10 mijë ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, gjenerali gjerman Markus Bentler thotë se ka forca të mjaftueshme për ta ruajtur sigurinë në Kosovë dhe për të mos lejuar grupet e tilla të kryejnë aktivitet brenda territorit të Kosovës. “Normal që ne brengosemi në lidhje më këtë çështje, por mund të them se ne së bashku me Policinë e Kosovës kemi arritur që të definojmë problemin shumë shpejtë. Çështja e kufirit është shumë me rëndësi, por kemi një partneritet të mirë me policët kufitar të Kosovës, dhe ky shkëmbim i mrekullueshëm i informatave në mes nesh, mundëson që të ndërpresim iniciativa të tilla. Dhe ky mund të jetë edhe një mesazh qartë për të gjithë se ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës të cilat kanë rastin të dëshmojnë se janë të gatshëm të reagojnë shpejtë në raste të krizave”, tha Gjenerali Markus Bentler, Komandant i KFOR-it në Kosovë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi thotë se policia dhe KFOR-i po bëjnë punën më të mirë që nëse ekzistojnë grupe të tilla në territorin e Kosovës, personat e përfshirë në to të arrestohen. “Ne jemi të interesuar që përveç sigurisë në shtetet tona të kemi siguri edhe në vendet tjera. Çdo aktivitet paramilitar i grupeve të caktuara në një mënyrë ndikon në sigurinë e vendeve fqinje, sidomos në një rajon malor ku menaxhimi pak është më i vështirë. Absolutisht mendoj se luftërat dhe konfliktet në këtë rajon kanë mbarur dhe të gjitha pakënaqësitë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve duhet të adresohen në mënyrë institucionale, andaj ne jemi të shumë të vendosur që së bashku me KFOR-in që e ka sigurinë globale në kufi me Maqedoninë dhe me policinë tonë kufitare ta bëjmë punën më të mirë, që grupe të tilla nëse janë në territorin e Kosovës të arrestohen siç është bërë ditë më parë se edhe unë nuk e ndërlidhi drejtpërdrejt, se a kanë të bëjnë me ngjarjet në Maqedoni apo jo”, tha Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Bajram Rexhepi. Të enjten e kaluar policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të municionit dhe uniforma ushtarake në fshatin Begracë në afërsi të kufirit me Maqedoninë, ku po ashtu, ka arrestuar shtatë persona të dyshuar. (alsat-m)
Shtuar më 05/05/2010, ora 14:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori