Ekipi i OKB mbërrin në Kiev, nesër nis inspektimi në Zaporizhzhia

Një ekip inspektorësh nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së kanë mbërritur në Kiev, teksa më vonë gjatë javës pritet të inspektojnë termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se një ekip do të vizitojë centralin nga e mërkura deri të shtunën, raporton The Guardian.

“Ne duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës”, shkroi Grossi në Twitter.

“Rafael Grossi dhe një ekip ekspertësh dhe inspektorësh janë nisur për në misionin e mbështetjes dhe ndihmës të IAEA në Zaporizhzhia (ISAMZ), për të ndihmuar në sigurinë bërthamore në NPP të Zaporizhzhia të Ukrainës dhe për të ndërmarrë aktivitete jetike mbrojtëse”, shtoi IAEA.