Firmosi lejet e ndërtimit për 12 vite në Durrës, Dako kalon i qetë mes rrënojave
Ekipet e ekspertëve të ndërtimitDurrës kanë dalë në terren për të vlerësuar gjendjen e objekteve pas tërmetit të 26 nëntorit.

Sipas ekspertëve pjesa më e madhe e objekteve, kanë shtuar katet, në shkelje të lejeve ndërtimore, duke sjellë në jo pak raste dëmtime të forta të strukturës.

Kamera e ABC News ka mundur të fiksojë momentin kur ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, funksionari që ka firmosur çdo leje ndërtimore në këto 12 vitet e fundit, kalon i qetë nën rrënojat e ish-hotel “Mira Mare” në Durrës.

Kur fadromat dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, po përmbyllin misionin e tyre në kërkim të personave të mbetur nën rrënoja, faza tjetër do të jetë ajo e vlerësimit të dëmeve që tërmeti i 26 nëntorit la në Durrës.

Pallatet dhe hotelet shumëkatëshe në qytetin bregdetar, kanë pësuar dëmtime të shumta. Ekipet e ekspertëve të vlerësimit të dëmeve, kanë zbritur në terren, dhe fatura financiare që pritet të prodhojnë, duket se do të jetë e madhe.

Diku ka rënë një mur, një tjetër pallat është bërë i pabanueshëm, Hotel “Lubiana” mbahet mbi kollona të thyera, dhe të gjitha vlejnë miliona lekë.

Ekspertët kanë nisur edhe verifikimin e lejeve të ndërtimit për çdo objekt, duke bërë krahasimin mes kateve legale dhe atyre që u shtuan gjatë viteve.

Në 12 vite të drejtimit të Bashkisë, Vangjush Dako firmosi me mijëra leje duke e tjetërsuar bregdetin. Megjithatë qetësinë dhe përgjegjësinë, për pallatet e hotelet e gjymtuara, nuk e shfaq, edhe kur kalon mes objekteve, që janë zhdukur plotësisht, siç është ai Hotel “Mira Mare” në Durrës.

Jashtë kamerave, ekspertët pohojnë se një pjesë e mirë e hoteleve do të duhet të shemben, pasi kanë marrë goditje të forta në strukturën mbajtëse.

Shumë prej objekteve të vendosura në bregdet, nuk kanë respektuar lejen e ndërtimit, duke shtuar katet e hoteleve në përfundim të çdo sezoni turistik./abcnews.al
Shtuar më 29/11/2019, ora 23:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori