Filmi anti-Islam, Imami i Shkodrës: Jemi të fyer
"Ata që dje u përpoqen ta vrasin e ta përndjekin profetin Muhamed a.s. sot po e luftojnë me filma. Por ato janë filmat e turpit të tyre". Kjo ka qenë deklarata e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në fjalën e hytbes së xhumasë në Medresenë e djemve në Shkodër. Në fjalën e tij myftiu i Shkodrës, krahas urimeve dhe këshillave të tij për nxënësit e Medresesë "Haxhi Sheh Shamia" në Shkodër, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ai ka bërë edhe një ndalesë në lidhje me temën e ditëve të fundit që ka të bëjë me protestat në vendet arabe kundër shfaqjes së filmit amerikan "Innocence of Muslims" me karakter antislam.

Ky film ka sjellë reagime të ashpra në disa vende të botës islame, sidomos në Libi ku mbeti i vrarë në një atentat ambasadori amerikan në Tripoli. Sipas Sytarit, një film i tillë është një fyerje ndaj besimeve fetare.

"Ata që vendosën të prekin pejgamberin a.s. kanë fyer të gjithë besimtarët myslimanë kudo që janë. Ata që dje u përpoqën ta vrasin e ta pëndjekin pejgamberin, tani po e luftojnë me filma të tillë që nuk janë asgjë tjetër vetëm se filmat e turpit. Pas fushatës denigruese me karikatura, tashmë ata u munduan të përdorin një formë tjetër, atë të realizimit të një filmi", ka pohuar Sytari.

Më tej Sytari ka vazhduar me porositë për studentët e kësaj Medreseje si dhe për besimtarët shkodranë se të ndërhysh në shenjtëritë e të tjerëve është një veprim i gabuar. "Ne gjithmonë duhet ta kemi shpresen e varur në Krijuesin, pasi do të vijë koha që të gjithë do ta shohin ndriçimin e Tij që do të na shndërisë të gjithëve", ka pohuar ai. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2012, ora 09:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori