Filluan bisedimet e Vjenës
Pëlqej
Albeu.com
Në pallatin Daun-Kinski të Vjenës filluan bisedimet e para direkte mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Pjesëmarrësit e delegacioneve 8-anëtarëshe fillimisht i takoi i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.Negociatat që filluan pak pas orës 10.00 i drejton zëvendësi i Ahtisaarit, Albert Rohan. Përveç tij, bashkësinë ndërkombëtare e përfaqësojnë i dërguari i BE-së, Stefan Lehne, një përfaqësues i SHBA dhe dy përfaqësues të UNMIK-ut.

Pas fjalës hyrëse të Albert Rohan, delegacionet do t'i paraqesin qëndrimet e tyre mbi decentralizimin në Kosovë. "Kemi ardhur mirë të përgatitur dhe sot do të fokusohemi në agjendën. Dëshirojmë që bisedimet mbi statusin të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Pavarësia e Kosovës po vjen dhe ne luajmë një rol pozitiv ", deklaroi me të arritur në Pallatin Kinski, Lutfi Haziri, kryesues i delegacionit kosovar. Sot, dy palët po diskutojnë bartjen e pushtetit në fushën e shëndetësisë, arsimit, çështjeve sociale dhe të kulturës, kurse në ditën e dytë do të bisedohet mbi bartjen e përgjegjësive të policisë, të gjyqësisë shërbimeve publike dhe të ndërmarrjeve shtetërore. Fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta në Vjenë, liderët institucional në Prishtinë e shohin si ditë historike për Kosovën. Presidenti Sejdiu e kryeministri Kosumi kanë mirëpritur përgatitjet që i ka bërë Prishtina për tryezën e bisedimeve. Duke e vlerësuar të rëndësishme temën që diskutohet sot në Vjenë, presidenti Fatmir Sejdiu mirpriti përgaditjet që i ka bërë pala kosovare në bashkëpunim të ngusht me faktorin ndërkombëtar. Presidenti Sejdiu shfaqi shpresën në përfundim të suksesëshëm dhe të shpejtë të procesit të filluar.”Besoj se kësisoji do t’ia dalim, që të shpejtojmë që ky vit të jetë vertetë vit i definimit të statusit konform vullnetit politik të qytetarëve të saj, që natyrisht është pavarësia e Kosovës e shprehur edhe nga qytetarët dhe nga institucionet”, tha Sejdiu. Kryeministri Bajram Kosumi tha se fillimi i bisedimeve në Vjenë është hap i parë praktik, drejt përfundimit me sukses të procesit të përcaktimit statusit. Ai u shpreh optimist për përgatitjet që i ka bërë dhe po i bënë pala kosovare për këtë proces. ”E tëra kjo do të përfundojë me sukses gjatë këtij viti, duke arritur që të krijohet shteti i lirë, demokratik dhe evropian i Kosovës si partner i stabilitetit i paqës në rajon dhe si partner i integrimeve të mëtutjeshme evropiane të tërë rajonit”, tha Kosumi. Edhe kryeadministratori Soren Jesen Petersen shfaqi shpresën se pala kosovare në takimin e Vjenës do të arrijë të dëshmoj para botës se mesazhet për krijimin e një shoqërie demokratike dhe multetnike në Kosovë janë kuptuar mirë. Sipas kreut të UNMIK-ut, takimi i sotëm në Vjenë do të jetë një rast shumë i mirë që pala kosovarë të tregoj se mesazhi është kuptuar mire dhe se Kosova ka për qëllim të lëviz përpara sa më shpejt që është e mundur. rtk
Shtuar më 20/02/2006, ora 17:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori