Fillon rikonstruktimi i Qeverise se Maqedonise, dorehiqet zedhenesi Duraku
Albeu.com
Zëdhënësi i Qeverisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Shefik Duraku, të martën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ky funksion. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të dorëheqjes së tij, por kjo është shenja e parë e fillimit të rikonstruktimit të qeverisë.Siç marrim vesh jozyrtarisht, Duraku në të ardhmen do të angazhohet si zëdhënës në BDI. Qarqe partiake në BDI, duke komentuar dorëheqjen e zëdhënësit qeveritar, thonë se kjo është vetëm një paralajmërim për rikonstruktimin e disa ministrave nga radhët e BDI-së si dhe të zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetëror.

“Deri tani në BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti për këtë temë nuk kanë menduar, por tani BDI ka një pozitë të favorshme politike dhe mund të bëjë një minirikonstruktim”, thonë në BDI. Që nga viti 2008 kur partia e Ahmetit u bë pjesë e koalicionit qeveritar nuk ka pasur rikonstruktim tek ministrat apo funksionarët e kësaj partie në Qeveri.

VMRO-DPMNE që vitin e kaluar shkarkoi disa ministra, mirëpo atëkohë BDI vendosi që të mos bëjë rikonstruktim në pjesën e saj. Zyrtarë të lartë të kësaj partie, në mesin e të cilëve edhe deputeti Fazli Veliu, publikisht shfaqën pakënaqësi për punën e disa ministrave dhe zëvendësministrave të BDI-së duke kërkuar shkarkimin e tyre të menjëhershëm nga lideri i partisë, Ali Ahmeti.

Tani zëdhënës i Qeverisë mbetet vetëm Martin Martinovski, ndërsa vendi i Durakut do të plotësohet pas pushimeve, gjegjësisht në fund të muajit gusht, apo në fillim të shtatorit. “Integristët” në disa raste publikisht janë shprehur se nuk janë të kënaqur me punën e disa ministrave të tyre. Por këto debate janë zhvilluar edhe në organet e partisë, ku një pjesë e madhe e anëtarëve të Kryesisë Qendrore kanë shprehur qëndrim se duhet të ketë rikonstruktim të Qeverisë.

Jozyrtarisht mesojme se në BDI do ta lëshojë Ministrinë e Ekologjisë dhe Ekonomisë, ndërsa për kompensim do ta marrë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe pozicionin e Guvernatorit të Bankës Popullore. Kalkulimet me partnerin e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE bëhen edhe për ministrin e Drejtësisë me atë të Shëndetësisë. Ka shumë kombinime, por sipas informacioneve tona, ende është e vendosur se cilën ministri do ta lëshojë BDI-ja dhe cilën do ta marrë.
Shtuar më 20/07/2010, ora 18:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori