Fillon lufta mes Prishtines dhe Beogradit ne GJND
Albeu.com
Prishtina dhe Beogradi dorëzojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës argumentet e tyre lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Në emër të Prishtinës, dokumentin qindra faqesh, në të cilën janë përmbledhur të ...... gjitha argumentet në mbështetje të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, do ta dorëzojë, kryesuesi i ekipit ligjor, juristi britanik Micheal Wood.

Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë hollësi për përmbajtjen e këtij dokumenti derisa ai t’i dorëzohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por burime qeveritare i kanë thënë BBC-së se në përpilimin e tij kanë punuar ekspertë të shquar vendorë e ndërkombëtarë.

Zyrtarët kosovarë thonë se kanë një mbështetje të madhe nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe janë të bindur se Prishtina do ta fitojë betejën në Gjykatë kundër Beogradit. Sipas tyre, pavarësia e Kosovës ka qenë e ligjshme dhe ajo në asnjë mënyrë nuk mund të zhbëhet.

Ndërkohë, edhe Beogradi ka përgatitur dosjen që do t’i dorëzohet GjND-së në Hagë në përpjekje për të dëshmuar se, siç thonë zyrtarët serbë, “pavarësia e Kosovës ka qenë e jashtëligjshme”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç i ka thënë televizionit shtetëror serb se drejtësia do të jetë në anën e Serbisë. Sipas tij, Gjykata e OKB-së do të konsiderojë pavarësinë e Kosovës si shkëputje të jashtëligjshme nga Serbia. I gjithë procesi për t’i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të deklarohet nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, është iniciuar nga Serbia.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi kërkesën e Serbisë për t'i kërkuar mendimin gjykatës së Kombeve të Bashkuara nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme. Shtatëdhjetë e shtatë vende votuan pro, gjashtë kundër dhe 74 abstenuan. Pjesa më e madhe e vendeve të BE-së u përmbajtën nga votimi.

Kur procesi filloi, Kosova po bënte tetë muaj që kur funksiononte si shtet i pavarur dhe ishte njohur nga afër 50 shtete, duke përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Autoritetet në Hagë u kanë dhënë mundësinë edhe të gjitha shteteve anëtare të OKB-së, që janë të interesuara në këtë proces, t’i dorëzojnë argumentet e tyre ‘pro’ ose ‘kundër’ shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pritet që mbi 40 shtete të paraqiten me deklaratat e tyre në favor qoftë të Prishtinës apo të Beogradit. /bbc/
Shtuar më 17/04/2009, ora 21:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori