Filloi me pune grupi parlamentar per rastin e Sopotit
Albeu.com
Me sigurimin e certifikatave të nevojshme për të parë informacionet e klasifikuara për deputetët Hajrulla Misini, Tahir Hani dhe Abedin Zymberi, ka filluar punën grupi parlamentar për rastin e Sopotit.
Gjashtë anëtarët, nga nëntë gjithsej, kryetar zgjodhën deputetin e BDI-së Hajrulla Misini i cili tha se puna e grupit do të zhvillohet në dy faza.
“Në fazën e parë do të mundoheshim ti mbledhim të gjitha raportet, procesverbalet, që nga dita e parë e bastisjes, nga aksioni i parë i arrestimeve në fshatin Sopot, të gjitha raportet edhe deklaratat gjatë hetuesisë dhe në fund procedura gjyqësore e kompletuar që nga gjykimi i parë deri në të fundit. Si fazë të dytë do ta kisha llogarit leximin e materialeve edhe eventualisht dëgjimi i dëshmitarëve nëse paraqitet nevoja për cilën prapë ne anëtarët e komisionit do të vendosnim”, theksoi Hajrulla Misini, kryesues i grupit të punës.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Cvetko Grozdanov tha se për përsëritjen e procesit gjyqësor janë të nevojshme dëshmi të reja.
“Ne fillimisht duhet ti marrim dëshmitë të cilët i ka pasur në dispozicion gjykata dhe me vonë në bazë të tyre, të shohim se a kemi mundësi të gjejmë dëshmi të reja që do të ndikonin më tutje në mundësinë e përsëritjes së procesit. Nëse gjenden, ne si komision do të ishim të suksesshëm dhe do të mbaronim punën tonë”, theksoi deputeti Grozdanov.
Përfaqësuesi i familjarëve Tahir Hani, përmendi edhe deklaratat e dhëna për ALSAT nga dëshmitari Ramadan Bajrami, si dhe Nikollas Bigman e Vllado Buçkovski.
“Për fillim ne kemi disa deklarata, siç është deklarata e Vllado Buçkovskit si ish ministër i mbrojtjes, kemi poashtu deklaratën e përfaqësuesit të NATO-s Nikollas Bigman por edhe kemi edhe deklaratën e notarizuar të dëshmitarit bazë për rastin e Sopotit të Ramadan Bajramit. Duke u nisur nga ky fakt, nga ky argument, si argument plotësues, ne do të plotësojmë edhe argumente tjera do bëjmë kërkime edhe për argumente tjera, në mënyrë të plotësojmë normat e nevojshme të ligjit me të cilin do të kërkojmë ripërsëritjen e procesit gjyqësor për rastin e Sopotit”, theksoi deputeti Tahir Hani, përfaqësues i sopotasve në grupin e punës.
Deputeti i DR-së, Abedin Zymberi tha se iniciativa e grupit të punës nuk është për të bërë politikë, ose për të nënçmuar institucionet shtetërore, por për të dëshmuar pafajësinë e banorëve të dënuar të Sopotit.
“Është iniciativë që është në të mirë të shtetit, besoni se ndërkombëtarët janë të informuar shumë mirë për këtë rast dhe shumë tjera se shteti ka keqpërdor ose ka montuar procese të ndryshme vetëm për të burgos disa persona dhe besoj se me zbardhjen e këtij rasti Maqedonia tregon se ka bërë reformim edhe të policisë edhe të gjyqësisë i cili është hap për inkuadrim në bashkësinë ndërkombëtare”, shtoi deputeti Zymberi.
Grupi i punës për rastin e Sopotit, duhet që deri më 31 tetor të këtij viti të grumbullojë fakte plotësues për rishikimin e procesit gjyqësor. (alsat-m)
Shtuar më 31/08/2009, ora 22:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori