Fikën kamerat dhe falsifikuan lejet, zbulohet shkaku u shkarkimit të drejtorëve
Drejtori i ri i burgjeve, Arjan Hoxha shkarkoi dy ditë më parë katër drejtorë në rrethe. Gjatë ditës së djeshme këta të fundit bënë një kallëzim penal kundrejt drejtorit duke thënë se shkarkimi i tyre ka qenë i pavend, ndërkohë që Hoxha ka reaguar sëfundmi duke dhënë edhe arsyet e heqjes së tyre nga detyra.

Sipas tij, shkarkimi i katër drejtorëve lidhet me faktin se ata kanë kryer një sërë shkeljesh, siç është fikja e kamerave brenda institucionit të burgut apo falsifikimi i lejeve.

Postimi i plotë u kreut të burgjeve

Dëshirojmë të informojmë qytetarët se shkarkimet nga detyra të drejtuesve të IEVP, janë masa në funksion të forcimit të sigurisë në burgje, dhe në asnjë rast nuk rrezikojnë mirëfunksionimin e institucionit.

Drejtorët e shkarkuar nga detyra, janë zëvendësuar menjëherë nga persona të deleguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në përputhje me Rregulloren e Burgjeve. Siguria në burgje nuk është e lidhur me emrin e drejtorit, por me zbatimin prej tij të ligjit dhe kryerjen e veprimeve në përputhje me ligjin.

Pas kontrolleve të ushtruara në disa IEVP, në përputhje të plotë me ligjin, Ministri i Drejtësisë ka pranuar propozimin për shkarkimin nga detyra të disa drejtuesve të IEVP-ve. Emërimi dhe shkarkimi i Drejtorit të IEVP është kompetencë ligjore e Ministrit të Drejtësisë dhe nuk mund të jetë kurrësesi i paligjshëm, përsa kohë është bërë në përputhje me nenin 20 të ligjit nr. 8328/1998, si dhe nenin 5 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve. Nga ana tjetër, shkarkimi nga detyra i një Drejtori të IEVP nuk ndodh për herë të parë, dhe për këtë arsye nuk mund të jetë as i paprecedent.

E paligjshme dhe e paprecedentë është:
– përdorimi i institucionit për qëllime politike;
– fikja e kamerave të sigurisë së institucionit për disa ditë, pa asnjë motiv dhe shkak objektiv, duke krijuar bindjen e plotë për sjellje antiligjore brenda ambienteve të institucionit;
– shndërrimi i IEVP në institucione punësimi fiktiv, ku punonjësit paguhen, edhe pse evidentohet që nuk paraqiten në punë;
– dhënia e lejeve ndaj të dënuarve në kundërshtim me ligjin dhe procedurat;
– falsifikimi i librave të hyrje-daljes në institucion; apo
– moszbatimi i urdhrave të eprorit.

Është kjo sjellje e paprecedent dhe antiligjore, që cenon sigurinë në burgje dhe detyron Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që të marr masa menjëherë sipas kompetencës që i njeh ligji, për të referuar rastin pranë Ministrit të Drejtësisë.

Secili prej drejtuesve të IEVP-ve të shkarkuara është njohur me detaje me motivet e shkarkimit, për shkak se, për herë të parë në praktikën administrative të Ministrisë së Drejtësisë, urdhrat e shkarkimit nga detyra, janë të shoqëruara me Relacion Shoqërues, ku evidentohen motivet dhe analiza ligjore, se ku mbështetet shkarkimi nga detyra.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve inkurajon ish-Drejtuesit e IEVP që të ndjekin rrugën ligjore të kundërshtimit të urdhrit të Ministrit, dhe mirëpret deklarimin e tyre se do t’i drejtohen organit të Prokurorisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Arjan Hoxha, siguron qytetarët se është i vendosur të garantojë sigurinë në burgje, si dhe shpreh vendosmërinë se nuk do të lejojë në asnjë rast që IEVP të shndërrohen në institucione të partive politike apo favoreve për subjekte zgjedhore të caktuara.

Z. Hoxha garanton se do të trajtojë me prioritet çdo informacion në këtë drejtim dhe do t’ia referoi rastin menjëherë Ministrit të Drejtësisë.
Shtuar më 06/06/2017, ora 15:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori