FIER/ Panariti: Fermerët sipërmarrës do të na kenë në krah
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, zhvilloi sot një vizitë në rrethin e Fierit, ku shoqëronte kryeparlamentarin, Ilir Meta. Ky i fundit dhe Ministri Panariti panë nga afër investimet në kompleksin blegtoral “Tris” në fshatin Libofshë të këtij rrethi, investimin e bërë, si dhe folën për mbështetjen ndaj sipërmarrjeve të tilla.

"Kjo është ferma më e madhe në këtë zonë, e cila ka 30 të punësuar të perhershëm, numri i të cilëve shkon në 50 me sezone të veçanta dhe që është shembulli më i mirë i investimeve në blegtori”, deklaroi Panariti.

Duke folur për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë, Panariti u shpreh se 3 vjet më parë, gjetëm një situatë, ku industria e qumështit ishte në dyshim dhe këtë situatë, ne e shndërruam në sfidë për veten tonë.

“Kjo fermë ku ndodhemi sot, tregon qartë se industria e qumështit ka furnizues të garantuar. Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet AZHBR-së (Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural), e ka mbështetur këtë sipërmarrje me grade, sipas kërkesave e plan bizneseve të tyre. Kjo fermë dhe çdo fermë e tillë garanton sasi të mëdha për industrinë përpunuese dhe më kryesorja, qumësht të një cilësie të lartë. Ky model garanton edhe fabrikat e qumështit për sasinë dhe cilësinë. Ata të cilët do të ndërtojnë modele të tilla në blegtori e bujqësi, do të na kenë në krah”, theksoi Ministri i Bujqësisë.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke përgëzuar punën e Ministrisë së Bujqësisë, deklaroi se një nga prioritetet është zhvillimi i bujqësisë e blegtorisë, si një nga sektorët me më shumë interes në vendin tonë dhe me më shumë perspektivë.

Kompleksi blegtoral ka filluar ativitetin në vitin 2010, për mbarështimin e kafshëve në fermat agroblegtorale të mëdha.

Kompleksi ka rreth 150 krerë lopë, 40 krerë mëshqerra dhe 40 krerë viça të vegjël. Aktualisht prodhimi ditor në qumësht arrin rreth 2.800 litra, por pas investimit parashikohet që kompleksi të prodhojë 5000 litra qumësht në ditë dhe është e kontraktuar për blerjen e të gjithë sasisë e prodhimit, nga një prej përpunuesve të qumështit në zonën e Myzeqesë.

Investimi i fundit i këtij kompleksi për zgjerimin e kapaciteteve, është bërë me grandet e AZHBR-së, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, në vlerën e 20 milionë lekëve./albeu.com/
Shtuar më 29/10/2016, ora 15:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori