Festohet në Tiranë ditëlindja e 1436-të e profetit Muhamed
Albeu.com
Besimtarët muslimanë përkujtuan ditëlindjen e 1436-të të profetit Muhamed, jetën dhe veprën e tij, në Tiranë me një program të madh festiv, organizuar në Pallatin e Kongreseve, nga Komuniteti Musliman Shqiptar dhe Fondacioni SEMA. Emra të njohur të teologjisë, politikës, diplomacisë dhe artit morën pjesë në këtë organizim, që është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme.

I pari që ka marrë fjalën në këtë festë të madhe për mbarë muslimanët ishte kreu i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, i cili vlerësoi figurën e profetit Muhamed si mëshirë për botërat. “Ai u dërgua si mëshirë për të gjithë botërat dhe e njerëzimit. Fjala e Zotit që ai transmetoi, çdo e ditë e më shumë po rinohet. Ai është vula e profetëve”, tha zoti Muça.

Më tej ka marrë fjalën kryeministri Sali Berisha, i cili në përshëndetjen e tij, deklaroi se vlera më e madhe që shqiptarët mund t`i tregojnë botës është toleranca, mirëkuptimi, harmonia fetare që ata rrezatojnë.

Nën prezantimin e artistit të Popullit Reshat Arbana, të aktorëve Freskida Çerkorja dhe Gëzim Rudi, mbi katër mijë të pranishmit që kishin mbushur sallën e pallatit të Kongreseve kanë dëgjuar këngët dhe ilahite dhe pjesët Kuranore që u prezantuan në skenë nga emra të njohur të artit dhe skenës shqiptare.

Medi Zena, Sidrit Bejleri, Sabahat Vishnja, Myfarete Laze, Alban Kali dhe shumë të tjerë kanë kënduar ilahitë ku përkujtohej figura e profetit Muhamed. Një figurë të veçantë ka paraqitur edhe kori i përbërë nga nxënësit e medreseve të Tiranës, Shkodrës, Kavajës e Cërrikut. start
Shtuar më 21/04/2007, ora 15:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori