Festa e miqësisë së madhe
Ambasada Amerikane në Tiranë feston 20-vjetorin e rihapjes së saj. Për këtë nuk është organizuar një festë tradicionale e protokollare që organizohen nëpër ambasada, por një festë për të gjithë.

Aktivitetet për të gjithë grupmoshat do të nisin nesër në orën 11:00 në rrugën pedonale “Murat Toptani”. Ambasadori Aleksandër Arvizu mesditën e të shtunës ka parë nga afër nisjen e përgatitjeve për këtë festë në zemër të kryeqytetit.

"Ky aktivitet organizohet për të festuar 20-vjetorin e rihapjes së ambasadës. Rivendosja e marrëdhënieve dipllomatike ishte në mars për të cilën ne patëm një ceremoni. Por në tetor është rihapja dhe nisja e punës në ambasadë. Ne donim të kishim një seri me aktivitete serioze për të festuar. Panairi i rrugës, të dielën është aktiviteti i parë krahas disa të tjerëve që ne do të kemi sic është simpoziumi më vonë gjatë javës ku disa ekspertë, përfshi ata të cilët ishin këtu 20 vjet më parë. Ne do të kemi gjithashtu një recepsion VIP në ambasadë, por por për mua aktiviteti kryesor do të ndodhë nesër me panairin e rrugës.Dëshiroj të them se kam parë spotin e përgatitur në Top Channel i realizuar më së miri dhe ne ju jemi mirënjohës për ndihmën tuaj për të publikuar këtë aktivitet", tha Arvizu për TCH.

Pyetjes se cfarë e shtyu Ambasadën Amerikane të dilte jashtë formatit të zakonshëm zyrtar, sic ndodh zakonisht në të tilla raste, ambasadori Arvizu dha këtë përgjigje:

"Është një pyetje me vend. Ne menduam për shumë gjëra që mund të bënim për këtë festim. Mendova se duhet të organizonim diçka të hapur për publikun. Ne menduam për ta organizuar në ambasadë, por për arsye sigurie nuk mund ta hapnim. Pjesa anësore afër ambasadës është e vogël dhe e ngushtë. Kështu mendova në mënyrë të natyrshme për këtë rrugë që e njoh mirë dhe vijnë shumë njerëz. Ja prezantova stafit tim këtë ide, të cilët më thanë se po kërkoja shumë dhe si mund t'ja arrimë kësaj. U thashë atyre se është e rëndësishme të bëjmë dicka për të falenderuar njerëzit e Tiranës, njerëzit në të gjithë Shqipërinë. Pandaj duhet të jetë sa më publike. Për të gjitha cështjet e organizmit dua të falenderoj stafin tim dhe ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Bashkinë, Ministrinë e Kulturës, dhe me Policinë gjithashtu. Do të kemi shumë elementë. Skena po ndërtohet, orkestra e Top Channel do të performojë sikurse edhe nga televizione të tjerë. Të gjithë jemi entuziastë pasi dëshironim shumë të kemi një festim popullor, sepse kur njerëzit mendojnë për Amerikën, gjëja e parë që shkon në mendje është se cfarë është ndryshe tek ne dhe kjo është joformale, pra e gjitha cfarë duam të bëjmë është me të vërtëtë e një natyre festive për familjet, për fëmijët, për të rriturit gjithashtu. Do të ketë gjëra gazmore, zbavitëse përfshi broshura me informacione rreth asaj që ne bëjmë në Shqipëri me qëllim mbulimin e shumë aspekteve. Pjesë e festës janë edhe posterat me foto të presidentit Obama dhe Sekretares së Shtetit, bar me karaoke, një mini-kopsht zoologjik për kafshët. Pra do të jetë një festë e gjerë për të gjithë dhe shpresoj se qytetarët do të vijnë për të qënë pjesë e saj", tha Arvizu.

"Kjo festë është gjithashtu një falenderim për qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, duke i falenderuar që na kanë lejuar të jemi pjesë e historisë në këto 20 vjet. Shumë shqiptarë më kanë treguar se edhe në ditët e errëta të në ambiente të ngushta familjare shpresonin për atë ditë kur Amerika do të rikthehej në Shqipëri. Kjo është mundësia për ne e të shprehurit: faleminderit", thotë ambasadori amerikan. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2011, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori