Veterani i Interit merr ofertë nga Turqia

Gjatë orëve të fundit në Turqi është përfolur për një transferim të mundshëm të Diego Godin nga Interi te Galatasaraji.

Sipas raportimeve të portalit “Hurriyet.com.tr”, mendohet të jetë në veçanti portieri Fernando Muslera ai që po shtyn bashkëkombësin e tij të kalojë në janar te skuadra e Stambollit, edhe pse për lojtarin janë të interesuar edhe klube të tjera europiane.

Kapiteni i kombëtares uruguaiane për momentin nuk dëshiron të ndryshojë fanellë, pavarësisht një eksperience jo të lumtur në Milano si pasojë edhe e ndryshimit të modulit.

Ndërkohë, as Interi nuk e konsideron në merkato mbrojtësin “veteran”, të afruar verën e kaluar me kosto zero nga Atletico e Madridit dhe ndër të tjera deri tani nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete në selinë zikaltër. Mbi të gjitha nuk diskutohet një largim në janar.


Shtuar 6.01.2020 08:12