Fëmija i Florije Pecit pa “baba”
Fëmija i Florije Pecit, mbetet pa “baba”. Ndonëse vogëlushja Gladielë ka ardhur në jetë që më 4 qershor të këtij viti, autoritetet austriake ende nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë personin që abuzoi me të mbijetuarën e aksidentit tragjik të Himarës, gjatë kohës që ajo po mjekohej në një spital në Austri.

Menjëherë pas ardhjes në jetë të Gladielës, Prokuroria e Tiranës ka zbarkuar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë për të marrë mostrat e gjakut të 22-vjeçares, Florije Peci, dhe vogëlushes së saj, të cilat u janë nënshtruar analizave të ADN-së, transmeton Top Channel.

Këto përgjigje, janë dërguar në Austri, ku autoritetet shqiptare kërkojnë zbardhjen e skandalit seksual. Denoncimi është bërë që në muajin janar të këtij viti, ku familja Peci zbuloi që vajza e tyre kishte mbetur shtatzënë në mënyrë të mistershme. Ajo ishte në muajin e katërt, kur mjekët i komunikuan 22-vjeçares se do të bëhej nënë. Lajmi ishte tronditës për të afërmit e studentes, të cilët dyshuan se mbi vajzën e tyre ishte abuzuar seksualisht, gjatë kohës që ajo ishte duke u rehabilituar në një spital austriak, pas daljes nga gjendja e komës. Gazmend Peci, vëllai i Florijes ka bërë një denoncim në Prokurorinë e Tiranës, duke kërkuar zbardhje e të vërtetës skandaloze. Në pretendimin e tij, ai u shpreh se e motra ishte përdhunuar, me pasojë shtatzëninë, gjatë kohës që ajo nuk ishte në gjendje që të vetëmbrohej. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2013, ora 13:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori