Feith: Kosoves i duhen reforma te thella
Albeu.com
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Pieter Feith, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksoi se në Kosovë ende ka nevojë për reforma, ndërsa në këtë drejtim theksoi nevojën për përqendrim të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtar.
Ai bëri këto komente gjatë një vizite katërditore, që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u konsultuar me institucionet dhe palët e interesuara kryesore në Washington, njofton KosovaLive.

"Është e qartë se ka shumë progres për t’u raportuar që nga vizita ime e fundit në Uashington në vitin 2008. Unë po ashtu do të nënvizoj nevojën për përqendrim të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtar në reformat e nevojshme”, tha ai.

Sipas një njoftimi të Zyrës për informim të ICO-së, Feith deklaroi se populli dhe Qeveria e Kosovës janë të përkushtuar në ecjen drejt strukturave evropiane dhe atlantike dhe kjo përpjekje më së miri mund të shtyhet duke u dhënë përkrahje reformave.

Ai tha se ka parë hapa të rëndësishëm që janë ndërmarrë në decentralizim dhe në themelimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq sfidë sipas tij është sigurimi i një qeverisje të mirë dhe respektimi i të drejtave, veçanërisht ato të komuniteteve jo shumicë.

"U jam mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që i kanë dhënë popullit të Kosovës, përfshirë punës së Zyrës Civile Ndërkombëtare. Jemi krenar që kemi personelin amerikan dhe evropian i cili punon së bashku në mision dhe çmojmë përkushtimin dhe kontributin e tyre”, tha ai.

Sipas njoftimit Feith gjatë kësaj vizite do t’i njoftojë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Mbrojtjes dhe në Këshillin për Siguri Kombëtare për zbatimin e mandatit të ICO-së.
Shtuar më 24/05/2010, ora 18:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori