Fazli Veliu largohet nga BDI-ja?
Albeu.com
Fazli Veliu, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës (SHVL) të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) pas pakënaqësive të shumta me politikën që e udhëheqë partia e tij Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shumë shanse që të braktisë radhët e integristëve.Vendimin për të dalë deputet i pavarur pritet të konfirmohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa vërejtjen e fundit për punën e BDI-së e ka dhënë të enjten kur e ka quajtur këtë qeveri si Millosheviqiane. “Heshtja që pllakosi, dëshmon se krerët e shtetit, së bashku kanë hartuar e zbatojnë plane shfarosëse si në kohën e Rankoviqit e Millosheviqit” thotë Veliu, në reagimin pas vrasjes së katër shqiptarëve në afërsi të fshatit Radushë, në mesin e të cilëve ishte edhe Harun Aliu - Kushtrimi. Kupa ndërmjet “dajës”, Fazli Veliut dhe “nipit”, Ali Ahmetit është mbushur që moti. Mësohet se kreu i BDI-së i ka tërhequr vërejtjen Fazli Veliut që të mos japë deklarata kundërthënëse me politikën e që e drejton partia e tij, por Veliu nuk ka dëgjuar urdhrat e “shefit”.

Përveç akuzave ndaj qeverisë, Fazli Veliu si zakonisht ka akuzuar edhe anëtarët shqiptarë nga radhët e BDI-së që janë pjesë e qeverisë.

“Aktorët e krimeve ordinare veprojnë, kur padronët e tyre janë larg vendit, gjë që dëshmon profesionalizmin për të fshehur dorën e krimit të organizuar qeveritar. Edhe këtë herë kryeministri ishte jashtë, ministrja vërtetoi goditjen pa dhënë hollësi, zëvendësministri shqiptar, as ishte në vendin e ekzekutimit të shqiptarëve, as reagoi, as bëri zë!”, thuhet në letrën e Fazli Veliut.

Kryetari i SHVL-së kohë më parë ka qenë shumë i ashpër ndaj qeverisë, sidomos për shkak të mosjelljes së ligjit për ish-ushtarët e UÇK-së. Ai kishte konsideruar ministrin Bajrami si të paaftë për ta zgjedhur këtë çështje, ndërsa iu kishte kërcënuar Gruevskit se do t’i bartë të gjitha pasojat për acarimin e situatës ndëretnike në Maqedoni.

Fazli Veliu edhe pse ka mandatin e deputetit, kohën e fundit thuajse tërësisht ka bojkotuar punën e ligjvënësve. Ai gjithashtu konsiderohet si një prej themeluesve dhe ideatorëve të UÇK-së. (lajm)
Shtuar më 24/05/2010, ora 18:19
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori