Faturat e reja, OSHEE: Kontrollet e konsumit do bëhen 4 herë në vit
OSHEE sqaron mënyrën se si qytetarët do të kryejnë pagesën e energjisë elektrike, nëse ERE miraton propozimin e operatorit që leximi i sahateve të kryhet një herë në tre muaj.

Konsumatorët familjarë do të paguajnë energjinë çdo muaj, bazuar në mesataren e konsumit të atij muaji në tre vitet e fundit.

Në fund të tremujorit, kur të kryhet leximi, ata do të paguajnë më shumë nëse kanë tejkaluar konsumin e përllogaritur, ose nëse kanë konsumuar më pak, shuma do t’u zbritet në faturën a tij muaji.

“Është konsumi i faturueshëm, i llogaritur sipas historikut, dhe është ai i lexuar. Dhe diferenca mes të dyjave është ajo që do të rakordohet mes nesh dhe klientit. Marzhi i gabimit mund të jetë tek 5 për qindëshi”, deklaron Albana Ferraj, drejtoreshë kabineti, OSHEE.

Leximi një herë në tre muaj do të bëhet vetëm për konsumatorët familjarë pasi për biznesin do të vazhdojë leximi i konsumit muaj për muaj.

Për ata që kanë matësa elektronikë, procesi do të jetë po elektronik. OSHEE beson se reduktimi i leximit në katër herë në vit rrit cilësinë e punës dhe do të ulë abuzimet nga punonjësit e saj.

“Edhe nga pajisja GPS që kemi vendosur në mjetet e tyre ne shohim që ata bëjnë lexime në pozicione të gabuara. Po mundohemi të ulim abuzimet dhe të shtojmë efiçencën”, shton Ferraj.

OSHEE thotë se kjo metodë përdoret në disa vende europiane që kanë ende matësa tradicionalë dhe se është e gatshme ta aplikojë sapo ERE të marrë vendim./TCH/
Shtuar më 07/02/2017, ora 17:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori