Thellohet lufta për pushtet në Rusi, edhe sa do të rezistojë Putin?

Nga Diane Francis “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vladimir Putin është një diktator absolut dhe i vetmuar, paranojak, që thuhet se është i shëndetshëm dhe që këshilltarët e të cilit janë “Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe”, siç e tha së fundmi me shaka Ministri i tij i Jashtëm Sergei Lavrov.

Ai është një Car i ditëve tona me ambicie dhe lakmi të pafundme, dhe që është i rrethuar nga oborrtarë që kanë të njëjtën mendësi dhe që janë tipa gjakftohtë. E ndërsa në kohërat mesjetare, një veprim i gabuar nga një kamp kundërshtar apo një tradhti do të ndëshkohej me vdekje, me prerje koke apo varje në litar, sot dënimet përfshijnë vrasjen, vetëvrasjen e inskenuar, helmimin apo hedhjen nga dritarja, që tani në Rusi në mënyrë cinike quhet edhe si “taksa e dritares”.

Megjithatë, edhe në këtë represion opozita po rritet dhe dhjetëra forca të armatosura janë formuar brenda Rusisë. Këto forca organizohen nga individë ose organizata për të mbrojtur veten nga ngjarje të papritura ose, si alternativë, për të rrëzuar Putin nga pushteti.

Javët e fundit, dy atentate i janë bërë personazheve publike – një është hedhur në erë dhe një tjetër është helmuar – çka ka bërë që të dalin në protesta grupe të indinjuara. Është e qartë se po sfidohet pushteti brenda Rusisë.

Një sërë trupash ushtarake private, milici, paraushtarakë, grupe guerile dhe organizata të tjera të armatosura po lulëzojnë pavarësisht faktit se të gjitha janë teknikisht të paligjshme. Disa kanë guxuar ta thonë hapur se do të rrëzojnë Putinin. Të tjerë po përgatiten për vendosur stabilitet pas rënies së pushtetit, sapo ai të largohet, ose financohen nga oligarkët që duan të mbrojnë asetet e tyre nga kaosi i pasluftës, si dhe të përmirësojnë perspektivat e tyre politike.

Kompanitë si Gazprom, Rosneft dhe të tjera kanë nisur të punësojnë shumë forca private të sigurisë. Sipas një eksperti, e gjithë kjo tregon, se “elitat ruse po përgatiten për një skenar të humbjes ushtarake të Rusisë dhe boshllëkun që do të lërë pushtetit pas kësaj”.

Fuqia në Rusi sot është e përqendruar. Në krye është Putini i ndjekur nga Siloviki (forcat e sigurisë dhe FSB), ushtria dhe oligarkët. Politikat e diktaturës janë të fshehta nga natyra, sepse janë të rrezikshme. Përjashtim ka bërë kreu i Wagner Group, Yevgeny Prigozhin, i cili ka bërë emër duke ndërtuar një ushtri të fuqishme dhe duke kritikuar hapur përpjekjet e luftës dhe gjeneralët e Putinit.

Por për të “Dimri po afrohet”. Forcat e armatosura të grupit të tij Wagner janë shkatërruar në betejën e gjatë mbi Bakhmut, një qytet i parëndësishëm në Ukrainë, të cilin megjithatë krerët ushtarakë të Putinit kanë kërkuar që ta marrin me çdo kusht. Hovi i Prigozhinit duket se është prerë pasi është ndaluar zyrtarisht rekrutimi i të burgosurve nga ana e tij si mercenarë.

Një tjetër ngjarje që baltosi imazhin e tij u shënua më 2 prill, kur një ushtar dhe bloger i njohur Vladlen Tatarsky u hodh në erë në një kafene në Shën Petersburg në pronësi të Prighozin. Një vit më parë ky bloger, tërhoqi vëmendjen e të gjithë Rusisë kur pati shkruar në një blog për luftën kundër Ukrainës, duke kritikuar në mënyrë të ashpër përpjekjet luftarake të Rusisë, dhe duke përmendur gjithashtu edhe emrin e Prigozhin.

Tatarsky dënoi humbjen e jetëve të shumë ushtarëve rus në Ukrainë, pajisjet e këqija dhe gabimet strategjike të bëra nga gjeneralët rusë. Por më 2 prill ai u detyrua të heshtë përgjithmonë pasi një grua e re i dorëzoi një statujë me imazhin e tij, për të nderuar veprën e tij, dhe më vonë ajo shpërtheu duke e vrarë atë në çast. Menjëherë zyrtarët rusë fajësuan Ukrainën, më pas arrestuan për vrasjen një mbështetëse të Navalny-t dhe aktiviste për të drejtat e grave, Darya Trepova.

Natyrisht Prigozhin e varrosi atë me të gjitha nderimet ushtarake të Grupit Wagner, por vrasja e tij ishte qartësisht një paralajmërim për të gjithë kritikët e luftës dhe një panoramë e sipërfaqësore e luftës së egër të brendshme që po zhvillohen brenda Kremlinit. Pas kësaj ngjarje natyrshëm u ngritën hamendësimi për autorin. Ishte Putin? Gjeneralët e tij? Ukraina? FSB? Një ditë më pas, Ushtria Republikane Kombëtare (NRA) mori përgjegjësinë dhe e quajti Tatarsky një “luftëtar famëkeq dhe propagandues lufte” i cili meritonte të vritej në një klub “në pronësi të një prej gangsterëve dhe kriminelëve më famëkeq të Rusisë”, Yevgeny Prigozhin.”

NRA, një grup sekret gueril i kryengritësve rusë, gjithashtu pretendoi se qëndronte pas shpërthimit me bombë të makinës së mbështetëses së Putinit, Darya Dugina, në muajin gusht. Në deklaratën e tyre thuhej: “Putini është një uzurpator i pushtetit dhe një kriminel lufte që ndryshoi kushtetutën, nisi një luftë vëllavrasëse midis popujve sllavë dhe dërgoi ushtarët rusë drejt vdekjes së sigurt dhe të pakuptimtë”.

Javën e shkuar, protestuesit mbushën rrugët për të kundërshtuar ndërtimin e një xhamie në një pjesë të Moskës që konsiderohet e shenjtë nga besimtarët ortodoksë rusë. Kjo zemëroi kryekomandantin e fuqishëm të luftës, Ramzan Kadyrov, i cili është president i Çeçenisë dhe komandant i një prej kontraktorëve më të mëdhenj ushtarakë privatë që operojnë në Ukrainë.

Ai paralajmëroi se “nxitësit ose duhet të rekrutohen për ta shfryrë të gjithë zemërimin e tyre mbi armikun ose të dërgohen në gjykatë si sabotator informacioni që veprojnë për të kënaqur satanistët”. Kjo përçarje fetare është potencialisht destabilizuese sepse myslimanët përbëjnë segmentin me rritjen më të shpejtë të popullsisë ruse.

Vlerësimet tregojnë se rreth 3 milionë myslimanë jetojnë në zonën e Moskës së Madhe një qytet që regjistron në total 15 milionë banorë, kryesisht punëtorë të përkohshëm nga Azia Qendrore. Por “The Moscow Times” vlerëson se deri në 20 milionë myslimanë jetojnë në Federatën Ruse – dhe një numër jo proporcional i tyre shërbejnë në ushtri.

Një grup tjetër sekret gueril i quajtur Ura e Zezë sapo ka marrë përgjegjësinë për zjarrin e 16 marsit që shkatërroi ndërtesën e Shërbimit Federal të Sigurisë, FSB, pranë kufirit me Ukrainën. Ai i përshkruan oligarkët dhe Siloviki si “një mbeturinë e neveritshme, lloji më i keq i njerëzve që mund të gjesh në vend.

Të gjitha përpjekjet e tyre gjatë qeverisjes së Putinit i janë dedikuar ndërtimit të strehëve të tyre të sigurta, sigurimit të pensioneve të majme dhe zbarkimeve rezervë në Perëndim. “Biznesmen”, “politikan” apo “artist” – nuk ka asnjë ndryshim,” postoi grupi në Telegram. “Ata e urrejnë Rusinë dhe e trajtojnë atë si një minierë që i duhet nxjerrë fundi, nuk është gjë tjetër veçse një burim i të ardhurave të tyre. A mund ju të minoni ekosistemin e të gjithë rajonit për të fituar para?… A keni nevojë të vrisni dikë? Apo ndoshta të organizoni gjenocid në vendin fqinj? Nuk është problem! Çfarë tjetër mund të bëni për të pasur një shtëpi të bukur në liqenin e Comos?”

Një  tjetër grup i quajtur BOAK pengon transportin e automjeteve ushtarake dhe të personelit përgjatë rrjeteve hekurudhore të Rusisë: Një nga zëdhënësit e tij i tha Newsweek: “Çështja nëse do ta kundërshtonim apo jo luftën nuk është vënë kurrë në diskutim nga ne.

Kur Rusia filloi këtë luftë vëllavrasëse, me qëllim forcimin e vetë diktaturës, së cilës ne i jemi kundërvënë, ajo vetëm sa e përforcoi rezistencën tonë ndaj regjimit dhe kësaj lufte.” Forca të tjera të errëta zyrtare lëvizin përqark Rusisë këto ditë, si FSB-ja apo ushtria që mund të qëndrojnë pas vdekjes së 39 rusëve të profilit të lartë që kundërshtuan publikisht luftën.

Pjesa më e madhe e viktimave ishin drejtues të ndërmarrjeve shtetërore të energjisë; manjati i pasurive të paluajtshme Sergey Grishin, i cili ia shiti rezidencën e tij në Kaliforni Harry-t dhe Meghan-it; shkencëtari Andrey Botikov i cili u gjet i mbytur me rripin e tij; Politikania opozitare Elvira Vikhareva që është helmuar së fundmi, dhe oligarkë të ndryshëm që kanë paguar “taksën e dritares”.

Sipas James Olson, ish-shef i kundërzbulimit të CIA-s, ky militarizimi i opozitës mund ta përshpejtojë tranzicion dhe Putini nuk ka rrugë drejt fitores në Ukrainë dhe mund të jetë “një njeri i vdekuri që ecën”.

“Nëse Putini qëndron në pushtet, do të ketë një luftë të gjatë, sepse ai nuk do të dorëzohet – por nuk mendoj se Putin do të qëndrojë në pushtet. Besoj se do të largohet nga pushteti”.

Ish-diplomati rus Boris Bondarev i tha Newsweek se një “kolaps i shpejtë i vijës së parë” do të bëjë që Siloviki ta largojë Putinin.

“Putini mund të zëvendësohet. Ai nuk është një superhero. Ai nuk ka asnjë superfuqi. Ai është thjesht një diktator i zakonshëm. Dhe nëse shikojmë historinë, shohim se diktatorë të tillë janë zëvendësuar herë pas here. Kështu, nëse humbitnin një luftë dhe nuk mund të kënaqnin nevojat e mbështetësve, ata zakonisht largoheshin.”

Transferimet më të fundit të pushtetit në historinë ruse kanë qenë paqësore dhe Siloviki, ushtria dhe oligarkët mund të zgjedhin të negociojnë daljen e Putinit nga politika dhe t’i japin fund luftës. Kështu ndodhi në vitin 1989: trupat ruse u tërhoqën nga Afganistani.

Pasuan përleshjet e brendshme në Kremlin dhe mes dy liderëve, ku më vonë Putin mori pushtetin dhe ndërpreu marrëveshjet me aleatët dhe oligarkët për të ndarë më pas pasurinë e kombit.

Por sot, forcat e armatosura janë të përziera dhe raportet thonë se Putini është i shqetësuar për sigurinë e tij. Nëse historia përsëritet, ai do të largohet, lufta do të përfundojë dhe dalë-ngadalë Federata Ruse do të zvogëlohet në madhësi ndërsa lojtarët e rinj rajonalë marrin pushtetin. /albeu.com


Shtuar 14.04.2023 14:45