Fatmir Sejdiu shpallet edhe zyrtarisht kandidat për president të Kosovës
Pëlqej
Albeu.com
Nënkryetari i kësaj partie Kolë Berisha tha se ky propozim është vendim unanim i kryesisë së LDK-së.Ndërkaq, Sejdiu tha se do të angazhohet për përmbushjen e misionit të kryetarit Rugova për pavarësinë e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Fatmir Sejdiu të jetë kandidati i saj për President të Kosovës. Kryesia e partisë më të madhe në vend, e ka zyrtarizuar këtë kandidaturë në një takim të shkurtër që mbajti sot në mëngjes. Kandidatura për president e profesorit të së drejtës, Fatmir Sejdiut, është përfolur gjatë ditëve të kaluara, por LDK-ja pati vendosur që zyrtarizimi të bëhej pas zisë kombëtare, e cila dje përfundoi. Nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, theksoi sot se vendimi është tregues i unitetit të partisë:

“Pas tragjedisë së madhe që patëm edhe si popull, edhe si Kosovë, edhe si LDK, kryesia e LDK-së në mbledhjen e saj të sotme unanimisht ka marrë vendim kapital - propozon kandidaturën për kryetar të Kosovës, prof. Dr. Fatmir Sejdiun. Është një vendim unanim i Kryesisë që dëshmon edhe një herë unitetin e kësaj partie dhe nuk priten përplasje apo përçarje siç ndonjëherë mendon dikush”.

Ende para zyrtarizmit të kandidaturës së LDK-së, Fatmir Sejdiu mori mbështetje të gjerë për zgjedhjen President, si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, shihet si kandidat i pranueshëm gati për të gjithë për pozitën e njeriut unifikues të vendit. Para kandidimit zyrtar, Sejdiu mori mbështetje nga partia e koalicionit, AAK-ja, nga disa parti më të vogla si dhe nga partia opozitare Ora. Në paraqitjen e parë pas kandidimit, Fatmir Sejdiu shfaqi besimin se do të vazhdojë me sukses proceset e nisura nga paraardhësi i tij, Ibrahim Rugova:

“Mund të ushtroj në këtë kohë kaq të nevoshme për Kosovën detyrën e krye-tarit të Kosovës. Falenderoj për angazhimin e tyre të madh që kanë bërë bashkë me presidentin Rugova deri në këtë fazë dhe mendoj se ne do të vazhdojmë me ngulm atë vizion dhe atë qasje që ai ka pas për Kosovën, pavarësinë, demokracinë dhe për ardhmërinë e saj të përgjithshme dhe për proceset euro-atlantike”.

Kandidatura e LDK-së për Fatmir Sejdiun është proceduar në Kryesinë e Kuvendit e cila pritet të caktojë brenda javës një seancë për zgjedhjen e Presidentit. Zgjedhja parashihet të bëhet me 2/3 e votave të deputetëve. Në rast se kjo nuk arrihet në dy votime, në të tretën kërkohet vetëm shumica e thjeshtë, që nënkupton 61 vota.

Safet Kabashi, Radio Kosova
Shtuar më 07/02/2006, ora 17:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori