Farsa e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave
Nga Mark Marku

Profesori dhe akademiku Artan Fuga prej vitesh po bën një përpjekje të dëshpëruar për reformimin e Akademisë së Shkencave. Ka paraqitur zyrtarisht dhe publikisht një platformë për reformimin e saj, e cila hedh bazat e një agjencie shkencore moderne, aktive që vihet në shërbim të komunitetit shkencor në Shqipëri dhe të shoqërisë, një institucion që koordinon, ndërvepron me agjencitë e tjera të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe botë. Ajo e nxjerr Akademinë nga izolimi aktual dhe nga moskoordinimi me agjencitë e kërkimit shkencor, që operojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Në këtë kuadër, kjo platformë përbën një vizion për reformimin tërësor dhe të integruar të kërkimit shkencor në Shqipëri, ku Akademia e Shkencave gjen arsyen e ekzistencës dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm.

Platforma e paraqitur nga Fuga është jo vetëm një bazë e mirë për një reformimin strukturor institucional, por edhe për një reformim të metodologjive të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë dhe shkëputjen e tyre nga kuadri i ngurtë ideologjik i shkencës së periudhës komuniste, duke i njohur Akademisë së Shkencave një rol të dorës së parë në orientimin e shkencës shqiptare, e cila, sipas autorit, duhet orientuar drejt “parimeve bashkëkohore që drejtojnë kërkimin shkencor dhe zhvillimin e njohurive shkencore dhe arritjeve teknologjike në vend, sidomos në ato fusha që kërkojnë bashkërendim dhe bashkëpunime ndërinstitucionale dhe ndërdisiplinore, sikurse janë etika e shkencës dhe e kërkimit shkencor, ndërdisiplinariteti, statusi social i kërkuesve shkencorë, metodologjitë e reja të kërkimit shkencor dhe të zhvillimit të teknologjisë”.

Vlera e platformës së paraqitur nga prof. Fuga qëndron, përveç të tjerash, në faktin se ajo kërkon ta shndërrojë Akademinë në një hapësirë ndërvepruese. Sipas autorit, Akademia duhet “të strukturojë një hapësirë të lirë, cilësore dhe të përhershme dialogu midis shkencëtarëve, universitarëve, intelektualëve, novatorëve të nivelit të lartë, vendas dhe të huaj, me shoqërinë civile, më pushtetet publike, me IAL-ët për gjendjen e kërkimit shkencor në Shqipëri, arsimimin dhe edukimin, si edhe rolin e shkencës dhe teknikës në progresin e vendit”.

Struktura organizative dhe menaxheriale e paraqitur nga prof. Fuga në platformën për Akademinë e Shkencave bën të mundur rivitalizimin e këtij institucioni dhe shndërrimin e tij në një institucion produktiv në fushën e kërkimit shkencor shqiptar, jo vetëm për anëtarët e Akademisë së Shkencave, por për gjithë kërkimin shkencor dhe shoqërinë shqiptare.

Gjen në këtë platformë të reflektuara ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin e dijes dhe të kërkimit shkencor për shkak të revolucionit teknologjik, i cili ka transformuar tërësisht shoqërinë, universitetin, Akademinë dhe reformimin e Akademisë së Shkencave drejt një institucioni që jo vetëm orientohet dhe përshtatet në këtë transformim të madh, por edhe që u paraprin këtyre shndërrimeve dhe që e përgatit shoqërinë, shkencën dhe dijen për t’i shfrytëzuar sa më mirë avantazhet e revolucionit teknologjik.

Platformës së paraqitur nga Artan Fuga, Akademia e Shkencave i është përgjigjur me platformën e një grupi pune të krijuar enkas, e cila orientohet jo drejt reformimit të Akademisë së Shkencave, por drejt konsolidimit të gjendjes aktuale të këtij institucioni.

Qeveria shqiptare, e cila po përgatit një ligj për reformimin e Akademisë së Shkencave, deklaroi më parë se të dyja platformat do t’i nënshtroheshin gjykimit të komunitetit shkencor dhe strukturave të BE-së e më pas do të zgjidhte njërën prej tyre si bazë për ligjin reformues të Akademisë së Shkencave. Nga të dyja palët, pra qoftë nga BE-ja, qoftë nga komuniteti shkencor, platforma Fuga është konsideruar si më e mira për të bërë një reformim real të ASH-së dhe kjo është gjëja që nuk dihet mirë nga publiku. Ajo që dihet është se qeveria gënjeu si dhe mijëra herë të tjera pa iu dridhur qerpiku, pasi disa deputetë marioneta të Kuvendit të Shqipërisë e kanë marrë platformën e grupit të punës të kryesuar nga Gjinushi dhe e kanë paraqitur si një draftligj për Akademinë e Shkencave. Prej ditësh, prof. Fuga po e denoncon një gjë të tillë, ashtu sikurse ka denoncuar shkeljet flagrante të ligjit nga Akademia e Shkencave gjatë këtyre viteve. Denoncim që natyrisht bie në vesh të shurdhër, pasi vendimi është marrë dhe Kryeministri Rama ka vendosur të sanksionojë me ligj shkatërrimin e Akademisë së Shkencave, duke i vënë vulën punës së kryer me kaq sukses nga anëtarë të Akademisë, të cilët gjithë jetën punën propagandistike në shërbim të regjimit e kanë shitur si punë shkencore.

Ajo që po ndodh në Akademi nuk është as më shumë e as më pak, por triumfi legal i enverizmit në fushën akademike dhe shkencore. Madje, për ta realizuar këtë, ata, akademikët e famshëm, kanë përgatitur një proces zgjedhjesh farsë, ku me një kandidaturë të vetme, kryetar i Akademisë së Shkencave pritet të zgjidhet zoti Gjinushi. Përtej konsideratave, mjafton të themi se jo zgjedhja e tij si kryetar, por edhe të qenit anëtar i tij i Akademisë së Shkencave është pastërtisht në kundërshtim me ligjin aktual për Akademinë e Shkencave, mbi bazën e të cilit zhvillohen këto zgjedhje, i cili në nenin 6 përcakton shprehimisht se “personat me poste të larta administrative dhe politike nuk mund të kandidojnë për të qenë anëtarë të rregullt dhe të asociuar gjatë ushtrimit të funksioneve”. Është pra e qartë, se zoti Gjinushi dhe Akademia e Shkencave ka vite që e shkelin hapur ligjin, pasi zoti Gjinushi ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate në momentin që është zgjedhur, ka vazhduar të jetë dhe madje si kryetar i saj në momentin që po kandidon, sapo ka nënshkruar një marrëveshje për koalicion me PS-në zgjedhjet e ardhshme. Flasim për pjesën e bërë publike të marrëveshjes, pasi me sa duket pjesë e padukshme e saj është edhe zgjedhja e tij si kryetar i Akademisë së Vdekur të Shkencave. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë qiraja e partisë kushton një post kryetari. Nuk e dimë se si do të jetë qiraja e Akademisë së Shkencave, por është e sigurt se e gjitha kjo është një farsë e shëmtuar, e rrezikshme, në dëm të një institucioni si Akademia e Shkencave, që nëse do të merrej seriozisht nga akademikët dhe nga qeveria, do ndikonte pozitivisht në dijen, kërkimin shkencor dhe shoqërinë shqiptare.
Shtuar më 20/05/2019, ora 13:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori