Përplasja Agolli-Nano që futi në terminologji "shkërdhatokracinë"
Dritëro Agolli shumë herë është shinjetruar si patriarku i PS, herë për shkak të rolit të tij në këtë parti e herë për debatet me drejtuesit e saj disa vite pas demokracisë.

“Shkërdhatokracia” është termi i famshëm i tij në vitin 1998 në kohën e qeverisjes së socialistëve me në krye Fatos Nanon.

Dritëro Agolli e cilësoi ide mashtruese idenë e meritokracisë së lançuar nga Nano, duke e barazuar atë me të ashtuquajturën prej tij “shkërdhatokraci”.

Shkrim tejet kritik i Dritëro Agollit dhe që shkaktoi një furtunë debatesh brenda gjirit të PS u publikua asokohe në “Gazetën Shqiptare”.

SHKRIMI I AGOLLIT

“Nanoja dhe shokët e tij për t’i treguar botës se kanë hequr dorë nga e kaluara komuniste, duan të rritin një parti artificiale në laboratorin e meritokracisë, gjoja moderne me udhëheqës që hyjnë dhe dalin në Rogner në Shqipërinë me gjysmë milionë të papunë dhe gjysmë milionë pensionistë që marrin pensione 25 dollarë sa për 20 kg presh.

Një nga ndihmësit meritokratë të kryeministrit kërcënon kryeredaktorin e “Zërit të Popullit” me fjalët ‘do ta shkarkoj atë shkërdhatë’. Atëherë kjo ‘meritokraci’ kthehet në ‘shkërdhatokraci’. Ja kjo është gjuha e meritokracisë.

Deputetët, anëtarët dhe simpatizantët e partisë për korifeun tonë nuk vlejnë as sa një qime e mjekrës së Landit, as sa një nishan i faqes së Kaçit dhe as sa një balluke e kokës së Benit. Prandaj ai sa ka një Ben, një Land dhe një Kaç, i thotë çdo socialisti plaç.”

Kryeministri i asaj kohe nuk do rrinte pa reaguar për këto kritika, duke krijuar hendekun e madh mes shkrimtarit dhe politikanit të urtë Dritëro Agolli, shkruan News 24.

“Nuk do lejoj askënd të fyejë 120 punonjës të administratës” deklaroi Nano asokohe. Shkrimi i famshëm botuar në Gazeta Shqiptare, nuk është e vetmja përballje me partinë në të cilën ai aderoi gjithë jetën, jo për të përfituar prej saj por duke i treguar rrugën e arsyes me mesazhe te pavdekshme filozofike, që vetëm ai dinte t’i krijonte dhe përdorte./albeu.com/



Shtuar më 04/02/2017, ora 13:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori