Çmimet e mjeteve shkollore në Maqedoninë e Veriut rriten me 50%, prindërve u nevojiten mesatarisht 100 euro për t’i blerë

Para fillimit të vitit shkollor, prindërit tashmë filluan t’i përgatisin fëmijët e tyre për shkollë. Blihen fletore, pajisje shkollore, çanta dhe material tjetër shkollor, por për dallim nga vitet e kaluara, tani çmimet janë më të larta mesatarisht për 50 deri 60 për qind

Kështu, tani për përgatitjen e një fillestari nevojiten mesatarisht prej 5.000 deri 6.000 denarë për dallim prej para pandemisë kur shpenzimet për fillestarë ishin prej 3.000 deri 4.000 denarë.

Nga libraritë, të cilat janë destinacionet më të vizituara në këtë periudhë të vitit, informojnë se çmimet e materialeve shkollore janë rritur prej 50 deri 60 për qind për dallim nga vitet e kaluara përkatësisht para fillimit të pandemisë.

Sipas informatave të cilat MIA i mori gjatë vizitës së librarive, familjet të cilat kanë fillestarë, do të duhet të ndajnë rreth 3.500 denarë për lapsa, stilolapsa, ngjyra dhe pajisje tjetër, prej 500 dero 1000 denarë për fletore, ndërsa shpenzimet për çantë të shkollës janë prej 700 deri 3.000 denarë, varësisht nga modeli dhe cilësia.

Për nxënësit nga klasa e dytë deri në të nëntën shpenzimet janë për një nuansë më të ulëta, thonë nga libraritë, sepse ndoshta nxënësit ende kanë materiale nga viti i kaluar dhe ndoshta nuk do të blejnë çantë të re shkollore. Kështu, shpenzimet e tyre mund t ulen për 1.000 deri 2.000 denarë apo rreth 27 për qind më pak.

Rritje më të madhe të çmimeve ka tek fletoret, që sipas librarive, i referohet shtrenjtimit të letrës. Nëse çmimi i një fletoreje të vogël para pandemisë ishte 10 denarë, tani për fletoren e njejtë paguhet shumë e dyfishtë përkatësisht 20 denarë. Fletoret më cilësore të cilat para pandemisë mund të bliheshin me çmim prej 30 denarëve, tani janë më të shtrenjta për 33 deri 50 për qind, përkatësisht çmimi i tyre i tanishëm është prej 40 deri 45 denarë.

Nga libraritë thonë se çmimet varen nga brendi dhe nga cilësia e materialeve. Mund të gjenden materiale edhe më të lira edhe më të shtrenjta./zhurnal