Familjarët e viktimave të Gërdecit: Mediut t'i hiqet imuniteti
Fatmir Mediu
Shoqata e familjarëve të viktimave të Gërdecit publikoi sot një deklaratë me të cilën i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme ti drejtohet Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Prokuroria e Përgjithshme duhet të kërkojë autorizimin për procedim në mënyrë që Kuvendi të votojë për heqjen e imunitetit, për të bërë të mundur vënien para drejtësise të Fatmir Ali Mediut”,- thuhet në kërkesën e familjarëve të viktimave të Gërdecit.

Sipas tyre, nuk ka asnjë pengesë juridike, që të mos e cojë këtë process deri në fund, nevojitet vetëm iniciativa e Prokurorisë, sipas tyre.

“Përfitojmë nga rasti t’i kujtojmë Prokurorisë së Përgjithshme se mazhoranca parlamentare dhe kreu i saj Z. Sali Berisha, ka premtuar publikisht përpara mediave, që do të pranojë pa kushte të gjitha kërkesat per heqjen e imunitetit. Ky qëndrim, tregon qartë se nuk ka asnjë ngërç juridik që të pëngojë këtë proces dhe se nevojitet vetëm inciativa e prokurorisë”,- thuhet më tej në letër.

Familjarët e viktimave të Gërdecit, konsiderojnë që prokuroria e Përgithshme mbajti qëndrim të ngathët dhe nuk veproi me kërkesën e parë doëzuar në nëntor 2009, ku kërkohej heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Sa për kujtesë Fatmir Ali Mediu që prej mëse një viti është i lirë dhe ende i pagjykuar për shkak të ngathtësisë ose mosveprimit pa ndonjë shpjegim të vlefshëm nga ana e prokurorisë deri në kohën kur po flasim. Kujtojmë se organit të Prokurorisë i kemi bërë edhe kërkesë për informacion mbi shkresat e mësipërme, por në mënyrë të përsëritur, fatkeqësisht nuk kemi pasur një përgjigje zyrtare në asnjë nga rastet.”, thuhet në deklaratë.

Sipas saj, “ka kaluar mëse një vit nga momenti kur duhet të kryeheshin veprimet e kërkuara me insistim nga të dëmtuarit e Gerdecit dhe nga përfaqesuesit e tyre ligiorë të qendrës Res Publica dhe nuk e kuptojmë zvarritjen dhe heshtjen e këtij institucioni për këtë ngjarje kaq të rëndë”.
Shtuar më 20/10/2010, ora 19:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori